Secondary Adv

Pr.buxheti 2026: Mbi 650 mln lekë për forcimin e sigurisë ushqimore, shtohen kontrollet

Mbi 650 milionë lekë janë parashikuar në projektbuxhetin 2026 për forcimin e sigurisë ushqimore dhe shtimin e kontrolleve ndaj përdorimit të pesticideve dhe produkteve bujqësore në treg.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit zhvilloi një takim me fermerë, eksportues dhe importues për të diskutuar mbi përdorimin e pesticideve dhe sigurinë e produkteve bujqësore, duke vënë theksin te eliminimi i pesticideve të palejuara dhe përmirësimi i gjurmueshmërisë së prodhimeve. AKU kërkoi që pikat e grumbullimit të sigurojnë analizat përkatëse dhe farmacitë bujqësore të tregtojnë vetëm pesticide të autorizuara, duke udhëzuar fermerët për përdorimin korrekt të tyre.

 

Investime në laboratorë dhe pajisje moderne

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV) ka parashikuar 224 milionë lekë për një projekt të ri që synon forcimin e kapaciteteve laboratorike dhe ngritjen e infrastrukturës për analizat e mbetjeve të pesticideve dhe metaleve të rënda në bimë. Për periudhën 2026–2028, ISUV do të investojë gjithashtu 433 milionë lekë për pajisje laboratorike moderne, me qëllim rritjen e saktësisë dhe efikasitetit të kontrolleve ushqimore.

 

Kontrollet në terren dhe masat administrative

AKU po vijon inspektimet në qarqet Vlorë, Lezhë dhe Elbasan, ku janë kryer 18 kontrolle për tregtimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve. Në disa raste janë konstatuar produkte të paregjistruara dhe aktivitete pa licencë, për të cilat janë vendosur gjoba dhe paralajmërime. Produkte të dyshimta janë bllokuar për mungesë regjistrimi ose etiketim të parregullt në përputhje me standardet e Ministrisë së Bujqësisë.

 

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nënvizon se kontrollet do të intensifikohen në të gjithë vendin, ndërsa institucionet përgjegjëse angazhohen për garantimin e ushqimeve të sigurta, konkurrencës së ndershme dhe mbrojtjes efektive të konsumatorit shqiptar.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat