Mbi 1 mijë aksidente me monopatina, Koçiu: Po finalizohen rregullat, kufizojmë shpejtësinë
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, deklaroi se janë regjistruar mbi 1 mijë aksidente nga përdorimi i monopatinave gjatë këtij viti.
Gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, Koçiu tha se ndalimi i përkohshëm i monopatinave ishte një masë e domosdoshme për shkak të aksidenteve të shpeshta dhe rrezikshmërisë së lartë që paraqesin mjetet e parregulluara në ligj. Sipas saj, në treg ka monopatina që arrijnë deri në 80 km/orë, shpesh të përdorura nga fëmijë pa masa mbrojtëse, duke rritur rrezikun për jetën dhe sigurinë publike.
Rregullat e reja për përdorimin e monopatinave
Ministrja bëri të ditur se po përgatiten ndryshimet ligjore për përcaktimin e shpejtësisë maksimale të lejuar dhe normimin e përdorimit të monopatinave. “Këto mjete motorike do të kenë rregulla të qarta për lëvizje, mbrojtje dhe përdorim, në përputhje me standardet evropiane,” tha Koçiu. Ajo shtoi se nisma nuk është unike për Shqipërinë, por është ndërmarrë edhe nga vende si Maqedonia e Veriut, Italia dhe Franca, të cilat kanë pezulluar përkohësisht përdorimin e tyre deri në miratimin e një legjislacioni të plotë.
Siguria mbi gjithçka
Koçiu theksoi se prioritet mbetet mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve, veçanërisht e fëmijëve. “Është më e rëndësishme të ruajmë jetën e fëmijëve tanë sesa të lehtësojmë përkohësisht lëvizshmërinë përmes mjeteve të pasigurta,” tha ajo, duke shtuar se monopatinat, megjithëse kontribuojnë në uljen e ndotjes, mbeten rrezik kur përdoren pa standarde dhe pa mjete mbrojtëse.
Mbi 1 mijë aksidente vetëm këtë vit
Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, nga fillimi i vitit janë regjistruar mbi 1 mijë aksidente që përfshijnë monopatina, megjithëse shumë raste nuk raportohen zyrtarisht. “Vetëm rastet e raportuara janë mbi një mijë, çka tregon rrezikshmërinë e madhe të këtyre mjeteve,” u shpreh ministrja, duke shtuar se pezullimi i përkohshëm synon krijimin e një baze ligjore që do të garantojë sigurinë dhe standardet e nevojshme për qarkullimin e tyre.