Secondary Adv

Lindjet bien me 4.6 për qind në 9-mujorin e 2025, tkurrja përhapet në të gjithë vendin

INSTAT: Vetëm 16,052 lindje në nëntëmujor, rënia po prek edhe qytetet e mëdha, ndërsa Korça kryeson me -16.8%.

Shqipëria po përballet me një rënie të qëndrueshme të lindjeve, që tashmë nuk kufizohet më vetëm në zonat rurale, por përfshin të gjithë territorin. Sipas INSTAT, në nëntëmujorin e vitit 2025 kanë lindur gjithsej 16,052 foshnja, me një ulje prej 4.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Edhe pse shtesa natyrore është përmirësuar lehtë për shkak të rënies së numrit të vdekjeve, numri i lindjeve vijon të tkurret në mënyrë të qëndrueshme.

 

Tirana në rënie të lehtë, Korça me tkurrjen më të fortë

Tirana mbetet qarku me më shumë lindje, por me rënie 2.2% në krahasim me një vit më parë, duke reflektuar ndikimin e kostos së lartë të jetesës dhe pasigurisë ekonomike edhe te familjet urbane. Ndërkohë, Korça ka shënuar rënien më të madhe në vend, me -16.8%, si pasojë e emigrimit të të rinjve dhe moshës së lartë të popullsisë.

 

Elbasani, Fieri dhe Durrësi me prirje në rënie

Elbasani dhe Fieri kanë pësuar ulje përkatësisht 6.3% dhe 6.7%, të lidhura me mungesën e perspektivës për të rinjtë dhe emigrimin drejt kryeqytetit ose jashtë vendit. Durrësi ka rënie 4%, çka tregon se edhe qendrat me zhvillim të lartë ekonomik nuk po arrijnë të ruajnë nivelet e lindjeve, për shkak të shtrenjtimit të banesave dhe pasigurisë në tregun e punës.

 

Zonat veriore dhe të brendshme po boshatisen

Shkodra ka shënuar rënie 6.2%, ndërsa Dibra -11.3%, duke reflektuar emigrimin masiv dhe moshimin e popullsisë rurale. Në këto zona, tkurrja e lindjeve po kthehet në fenomen strukturor. Ndërkaq, Berati është i vetmi qark me rritje të lehtë 1.8%, ndoshta si efekt i rikthimit të familjeve nga emigracioni ose mbështetjes sociale lokale.

 

Prirje e përgjithshme negative në nivel kombëtar

Vlora ka pësuar rënie të lehtë prej 2.6%, ndërsa Gjirokastra, Kukësi dhe Lezha kanë regjistruar ndryshime minimale, por me prirje të përgjithshme në rënie ose stagnim. Ekspertët paralajmërojnë se nëse kjo tendencë vijon, popullsia e vendit mund të përballet me reduktime të ndjeshme demografike në dekadën e ardhshme.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat