Secondary Adv

Kuvendi i kërkon BSH të forcojë monitorimin e kredive për ndërtimin dhe pasuritë e paluajtshme

Kuvendi i Shqipërisë kërkon nga Banka e Shqipërisë forcimin e mbikëqyrjes mbi kreditë për ndërtim dhe pasuritë e paluajtshme, për të ruajtur stabilitetin financiar dhe qëndrueshmërinë e sistemit bankar.

Në rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2024, Kuvendi i bën thirrje institucionit që të rrisë kontrollin mbi ekspozimin e bankave ndaj sektorit të ndërtimit dhe të diversifikojë portofolin e kredive për të shmangur përqendrimin e rrezikut.

 

Që prej 1 korrikut 2025 kanë hyrë në fuqi kufizime të reja për administrimin e rrezikut, përfshirë raportin e kredisë ndaj vlerës (LTV) dhe raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave (DSTI). Kufijtë janë vendosur në 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për të dytën në lekë, ndërsa në valutë përkatësisht 75% dhe 70%. Për raportin e borxhit ndaj të ardhurave, tavanet janë 40% dhe 35% në lekë, si dhe 35% dhe 30% në valutë.

 

Qëllimi: Zvogëlimi i rrezikut të huamarrjes dhe mbrojtja e sistemit bankar

Sipas Bankës së Shqipërisë, kufijtë e rinj synojnë të reduktojnë rrezikun e dështimit të huamarrësve dhe humbjet potenciale të bankave që lidhen me zhvillimet e pafavorshme në tregun e pasurive të paluajtshme. Në shtator, raporti i kredive me probleme arriti 4.4%, niveli më i lartë në 10 muajt e fundit.

 

Kërkesat për ndërhyrjet në tregun valutor

Kuvendi kërkon nga Banka e Shqipërisë të ndjekë një qasje të kujdesshme në ndërhyrjet në tregun valutor, duke kufizuar blerjet e valutës vetëm në raste të justifikuara. Qëllimi është forcimi i funksionit të kursit të këmbimit si mekanizëm vetërregullues që mbron konkurrueshmërinë dhe ekuilibrin makroekonomik.

 

Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu 933 milionë euro, ndërsa gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti blerjet arritën në rreth 800 milionë euro. Këto ndërhyrje kanë frenuar rënien e kursit të këmbimit Euro–Lek, që aktualisht ka zbritur me rreth 2% në terma vjetorë.

 

Mbikëqyrje më e fortë për institucionet jobanka dhe sigurinë kibernetike

Kuvendi kërkon gjithashtu forcimin e mbikëqyrjes ndaj institucioneve financiare jobanka, për zbatimin e plotë të rregulloreve të reja dhe përmirësimin e cilësisë së portofolit të kredive. Po ashtu, theksohet rëndësia e kontrollit të zyrave të këmbimit valutor për të garantuar transparencë dhe integritet në sistemin financiar.

 

Rezoluta i kërkon Bankës së Shqipërisë të përditësojë dhe harmonizojë planet e reagimit ndaj sulmeve kibernetike në sistemin bankar dhe në sistemet e pagesave, duke realizuar testime të sigurisë për çdo bankë sistemike në mënyrë periodike.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat