Secondary Adv

Rishikohet Paqja Fiskale, 5 për qind tatim për bizneset që do rivlerësojnë deklarimet e 5 viteve

Qeveria rishikon projektligjin për “Paqen Fiskale”, duke parashikuar tatim 5% për bizneset që do të rideklarojnë pasqyrat financiare të pesë viteve të fundit.

Ministria e Financave ka përgatitur versionin e ri të projektligjit “Për marrëveshjen e Paqes Fiskale”, që u jep mundësinë bizneseve të mëdha të korrigjojnë deklarimet e kaluara kundrejt një tatimi simbolik prej 5%, pa gjoba dhe kamatëvonesa.

 

Sipas draftit, subjektet me të ardhura mbi 14 milionë lekë në vit që lidhin marrëveshje me administratën tatimore për parapagimin e tatimfitimit, mund të rideklarojnë pasqyrat financiare të pesë viteve të fundit. Tatimi 5% do të aplikohet për korrigjimet që lidhen me gjendjen e cash-it, pasuritë e padeklaruara, fshirjen e aktiveve apo detyrimeve fiktive, si dhe shpërndarjen e fitimeve të mbartura si dividentë.

 

Korrigjime pa penalitete për transparencë fiskale

Ministria e Financave thekson se për këto rideklarime nuk do të aplikohen gjoba, interesa apo kamatëvonesa, me kusht që tatimpaguesit të deklarojnë paraprakisht pjesëmarrjen në marrëveshje. Qëllimi është të inkurajohet transparenca dhe të shmangen konfliktet me administratën tatimore, duke krijuar një proces vullnetar të korrigjimit të pasqyrave financiare.

 

Ndër ndryshimet kryesore përfshihen:

– Rivlerësimi i gjendjes së parasë cash, me tatim 5% mbi çdo devijancë nga gjendja reale;
– Fshirja e aktiveve dhe detyrimeve fiktive me tatim 5%;
– Deklarimi i pasurive të papërfshira më parë, me tatim 5%;
– Rideklarimi i fitimeve të mbartura dhe shpërndarja si dividentë, me tatim 5%.

 

Kush përfiton nga marrëveshja e Paqes Fiskale

Marrëveshja do të jetë e hapur për bizneset me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë, qofshin persona fizikë apo juridikë, që nuk përfitojnë nga norma të reduktuara tatimore apo përjashtime ligjore. Ata që parapaguajnë tatimin e fitimit – të llogaritur mbi fitimin e vitit të kaluar plus 18% – mund të zgjedhin të bëjnë ose jo rideklarimin e plotë të pasqyrave.

 

Bizneset që janë në rregull me detyrimet tatimore dhe që nuk janë nën hetim për mashtrim apo evazion, do të kenë mundësi të përfitojnë nga ky instrument, i cili synon të krijojë besim të ndërsjellë midis administratës tatimore dhe sipërmarrjes, duke hapur rrugën për një klimë fiskale më transparente dhe të qëndrueshme.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat