Secondary Adv

Inflacioni në Kosovë: Çmimet e konsumit u rritën mesatarisht 5.1 për qind

Inflacioni në Kosovë mbetet i lartë, me çmimet e konsumit që u rritën mesatarisht me 5.1 për qind në tetor 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Kosovës, inflacioni mujor arriti në 0.6 për qind, ndërsa çmimet vjetore të konsumit vazhdojnë të shënojnë rritje të qëndrueshme në pothuajse të gjitha kategoritë.

 

Rritja u ndikua kryesisht nga pushimet e organizuara (+23.7%), biletat e fluturimeve (+21%), energjia elektrike (+20.3%), pemët (+15.3%), kafeja, çaji dhe kakaoja (+13.1%), mirëmbajtja e automjeteve (+12.4%), mishi (+12.3%) dhe shërbimet hoteliere (+9%).

 

Kategoritë me rritjen më të madhe të çmimeve

Sipas raportit të fundit, energjia elektrike është bërë një nga faktorët kryesorë të shtrenjtimit me rritje 20.3 për qind, ndjekur nga pemët (15.3%), kafja dhe çaji (13.1%), mishi (12.3%) dhe produktet e qumështit (7.5%). Rritje janë shënuar gjithashtu te vajrat, buka, duhani dhe pijet alkoolike, duke ndikuar ndjeshëm në koston e jetesës.

 

Në të kundërt, ulje të lehta janë vërejtur në karburantet dhe lubrifikantët për transport personal (-2.6%) dhe në blerjen e automjeteve (-1.2%), por pa ndikim të konsiderueshëm në frenimin e inflacionit total.

 

Inflacioni mujor tregon ritëm të qëndrueshëm rritjeje

Krahasuar me shtatorin, çmimet në tetor janë rritur mesatarisht me 0.6 për qind. Ngritjet më të mëdha janë regjistruar te drutë e zjarrit dhe peletët (+8.4%), energjia elektrike (+3.3%), perimet (+2.2%) dhe duhani (+2.2%). Vetëm biletat e fluturimeve (-6.8%) dhe pemët (-3.8%) kanë shënuar rënie mujore.

 

Presion mbi koston e jetesës

Të dhënat e tetorit tregojnë se inflacioni mbetet një sfidë serioze për ekonominë e Kosovës, duke ndikuar drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të qytetarëve. Çmimet e ushqimit, energjisë dhe shërbimeve bazë po rriten më shpejt se pagat, duke e bërë dimrin 2025–2026 potencialisht ndër më të shtrenjtët për familjet kosovare.

 

“Norma mujore dhe vjetore e inflacionit, sipas IHÇK, vazhdon të tregojë presion mbi çmimet e konsumit në vend, duke reflektuar rritje të dukshme në energji, ushqim dhe shërbime turistike,” theksohet në raport.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat