Nesër mbledhja e qeverive Itali-Shqipëri: Mbrojtja, industria dhe emigrantët, çështjet kryesore
Qeveritë e Italisë dhe Shqipërisë zhvillojnë nesër në Romë mbledhjen e parë të përbashkët ndërqeveritare, me fokus në mbrojtjen, industrinë, migracionin dhe bashkëpunimin ekonomik.
Samiti Itali–Shqipëri pritet të shënojë nivelin më të lartë të bashkëpunimit mes dy vendeve, me nënshkrimin e disa marrëveshjeve strategjike në fushat e mbrojtjes, energjisë, sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe shëndetësisë.
Më shumë se dhjetë marrëveshje dhe memorandume pritet të nënshkruhen nga kryeministri Edi Rama dhe homologja e tij italiane, Giorgia Meloni, duke konsoliduar partneritetin dypalësh në fusha të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të Shqipërisë.
Bashkëpunim në mbrojtje, energji dhe migracion
Në sektorin e mbrojtjes, Italia do të ofrojë pajisje dhe teknologji për ngritjen e infrastrukturës detare në Shqipëri, si dhe programe trajnimi profesional për mirëmbajtjen e anijeve. Në energji, bashkëpunimi do të zgjerohet mbi bazën e marrëveshjes trepalëshe Itali–Emiratet e Bashkuara Arabe–Shqipëri, nënshkruar në janar 2025, që parashikon prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe ndërlidhjen nën det mes dy vendeve.
Për migracionin, do të krijohet një grup pune i përbashkët për forcimin e luftës kundër emigracionit të paligjshëm dhe përmirësimin e aftësive të patrullimit detar të Shqipërisë. Gjithashtu, do të ngrihet një “Sistem i Mbrojtjes Civile” për transferimin e ekspertizës italiane në këtë fushë.
Bashkëpunim në shëndetësi dhe zhvillim ekonomik
Të dy qeveritë do të nënshkruajnë një marrëveshje për ndërtimin e departamentit të neonatologjisë në Spitalin “Koço Gliozheni” në Tiranë, si pjesë e bashkëpunimit në fushën e shëndetit të nënës dhe fëmijës.
Në fushën ekonomike, Italia njeh zyrtarisht Cassa Depositi e Prestiti si institucion financiar zhvillimi në Shqipëri, duke hapur rrugën për themelimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit me mbështetje teknike italiane. Pritet gjithashtu ngritja e qendrës së panaireve “ExpoAlbania” në Tiranë dhe forcimi i partneriteteve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përmes SIMEST dhe Këshillit Ekonomik Kombëtar.
Partneritet strategjik dhe integrim evropian
Marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë mbështeten në një bazë të fortë bashkëpunimi që nga Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit i vitit 1995 dhe Deklarata e Partneritetit Strategjik e vitit 2010. Samiti i nesërm është vazhdimësi e këtyre nismave, duke synuar thellimin e partneritetit ekonomik, politik dhe institucional midis Romës dhe Tiranës.
Të dy vendet riafirmojnë përkushtimin ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe thellimit të bashkëpunimit në menaxhimin e flukseve migratore, sigurisë rajonale dhe zhvillimit të qëndrueshëm.