Buxheti 2026, rritet pesha e shpenzimeve për sigurinë, ulet për mbrojtjen sociale dhe arsimin
Projektbuxheti 2026 tregon një zhvendosje të lehtë të fondeve drejt funksioneve publike dhe të sigurisë, ndërsa politikat sociale dhe arsimi shënojnë rënie.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, shpenzimet për administratën publike, mbrojtjen dhe rendin janë rritur ndjeshëm, ndërsa fondet për arsimin, mbrojtjen sociale dhe kulturën kanë pësuar ulje të lehta krahasuar me një vit më parë.
Fondi për shërbimet e përgjithshme publike në 2026 arrin 68.5 miliardë lekë, ose 7.7% të totalit të shpenzimeve, nga 7% që ishte në 2025. Rritja lidhet me shtimin e fondeve për administratën dhe menaxhimin e politikave publike.
Mbrojtja dhe siguria marrin më shumë peshë
Buxheti për mbrojtjen arrin në 43 miliardë lekë, duke zënë 4.9% të totalit të shpenzimeve, nga 4.5% një vit më parë, në përputhje me angazhimet për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe detyrimet ndaj NATO-s. Po ashtu, fondet për rendin dhe sigurinë publike arrijnë 55.8 miliardë lekë, duke u rritur në 6.3% të buxhetit nga 6.1% që ishte këtë vit.
Çështjet ekonomike, që përfshijnë investimet në infrastrukturë dhe mbështetjen për zhvillimin ekonomik, mbeten të qëndrueshme në rreth 9.4% të totalit të buxhetit, duke ruajtur vlerat e vitit të kaluar.
Arsimi dhe mbrojtja sociale në rënie të lehtë
Arsimi zë 8% të buxhetit me një fond prej 70 miliardë lekësh, një ulje e lehtë nga 8.1% në 2025. Shëndetësia mbetet në nivelin 9.2%, duke ruajtur peshën e saj në strukturën e buxhetit. Ndërkohë, mbrojtja sociale – që përfshin pensionet dhe ndihmën ekonomike – mbetet zëri më i madh me 27.3% të totalit, por ka një rënie prej 0.4 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Shpenzimet e tjera të paklasifikuara, përfshirë fondet e kontigjencës dhe pagesat e interesave të borxhit, parashikohen në 194 miliardë lekë ose 21.9% të totalit, nga 22.6% në 2025.
Mjedisi dhe kultura mbeten në periferi të prioriteteve
Fondi për mbrojtjen e mjedisit në 2026 zë vetëm 0.2% të buxhetit – shumë më pak se mesatarja evropiane që varion midis 1.5% dhe 2%. Ndërkohë, kultura, argëtimi dhe çështjet fetare marrin vetëm 0.8% të totalit të shpenzimeve, ndjeshëm më poshtë se vendet e Bashkimit Evropian ku ky zë arrin rreth 2%.
Kjo tregon se megjithëse sektorët e kulturës dhe mjedisit kanë potencial të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë kreative, ata vijojnë të mos trajtohen si fusha prioritare në politikat publike të vendit.