Secondary Adv

Rama: Më 17 nëntor, Shqipëria hap grupkapitullin e fundit të negociatave me BE

Komisioni Europian vlerëson ritmin rekord të Shqipërisë në hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave brenda një viti.

Shqipëria do të hapë më 17 nëntor 2025 grupkapitullin e fundit të negociatave me Bashkimin Europian, një zhvillim që Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si “të pamendueshëm” dhe “rekord absolut” në historinë e integrimit europian.

 

Në një publikim në rrjetet sociale, Rama theksoi se objektivi për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027 mbetet i pandryshuar, pavarësisht sfidave që shoqërojnë procesin e anëtarësimit, duke theksuar se Shqipëria po forcohet çdo muaj përmes rritjes ekonomike, pagave, pensioneve dhe investimeve të huaja, pa rritur taksat dhe me përmirësim të punës së institucioneve shtetërore.

 

Takimi me ambasadorët dhe vlerësimi nga BE

Po në të njëjtën ditë, Kryeministri Rama zhvilloi në Tiranë një takim me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian dhe përfaqësues nga disa kryeqytete europiane, në kuadër të bashkëbisedimit të përvitshëm që pason publikimin e Raportit të Progresit të BE për Shqipërinë. Komisioni Europian vlerësoi angazhimin e fortë të autoriteteve shqiptare në përmbushjen e kushteve të vendosura dhe progresin “të paprecedent” në hapjen e 28 kapitujve brenda një viti, duke e cilësuar këtë ritëm si më të shpejtin në historinë e zgjerimit të unionit.

 

Progresi në reformat kryesore

Raporti i BE-së përmend rezultatet e dukshme në reformën në drejtësi, si dhe përparimet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe rolin e saj konstruktiv në rajon. Vlerësimi i këtij progresi është parë si themelor për të çuar përpara procesin e integrimit dhe për të konsoliduar besueshmërinë e vendit në sytë e institucioneve europiane.

 

Grupkapitulli i fundit dhe rëndësia strategjike

Hapja e pesë kapitujve të përfshirë në Grup-Kapitullin 5 – “Bujqësia, Kohezioni dhe Burimet” – më 17 nëntor shënon hapin përfundimtar të fazës së hapjes së negociatave. Ky moment vjen pas katër konferencave ndërqeveritare të mbajtura gjatë vitit 2025, që çuan në hapjen e kapitujve të tjerë dhe vendosën bazën për fazën përmbyllëse të procesit. Hapja e këtij grupkapitulli përfaqëson jo vetëm përparim teknik, por edhe konsolidim të qëndrueshmërisë institucionale dhe ekonomike të Shqipërisë në prag të objektivit strategjik “Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian”.

 

Burimi: Ekofin


Më të lexuarat