Secondary Adv

Qeveria shqiptare do të financojë Inceneratorin e Tiranës me 30 mln euro deri në 2028

Qeveria shqiptare do të paguajë edhe 30 milionë euro të tjera deri në vitin 2028 për kontratën koncesionare të inceneratorit të Tiranës, pavarësisht se impianti nuk është ndërtuar dhe nuk funksionon.

Pagesa për një projekt që nuk ekziston

Sipas të dhënave në projektbuxhetin e vitit 2026, qeveria do të vijojë financimet për kontratën PPP të inceneratorit të Tiranës, me justifikimin e respektimit të detyrimeve kontraktuale për të shmangur penalitetet. Deri më tani, janë disbursuar mbi 8.9 miliardë lekë, ose mbi 90 milionë euro, për një impiant që ende nuk ekziston. Ndërkohë, mbetjet e kryeqytetit vazhdojnë të depozitohen në landfillin e Sharrës, ndërsa ndërtimi i impiantit për djegien dhe prodhimin e energjisë nuk ka nisur asnjëherë.

 

Kontrata 30-vjeçare dhe financimet deri më tani

Kontrata koncesionare e nënshkruar në vitin 2017 parashikon një afat 30-vjeçar dhe një vlerë totale prej 128 milionë eurosh, shumicën e të cilave qeveria e ka alokuar tashmë. Deri në fund të vitit 2025 janë paguar më shumë se 70% e fondeve, ndërkohë që faza e djegies dhe prodhimit të energjisë, pjesa thelbësore e projektit, nuk është realizuar.

 

Tre inceneratorë, tre dështime

Qeveria shqiptare planifikoi ndërtimin e tre inceneratorëve: në Elbasan me kapacitet 140 tonë në ditë, në Fier me 200 tonë dhe në Tiranë me 920 tonë. Të tre projektet u financuan përmes skemës së Partneritetit Publik-Privat, por dy të parët janë tashmë jashtë funksionit dhe nën hetim nga SPAK për korrupsion. Ndërkohë, kontrata e Tiranës mbetet aktive dhe po financohet rregullisht nga buxheti i shtetit, ndonëse pa asnjë rezultat konkret në terren.

 

Kosto të reja dhe emergjencë mjedisore

Mosfunksionimi i impianteve ka krijuar një krizë të re mjedisore në vend. Qeveria ka parashikuar që nga viti 2026 mbetjet e gjeneruara në Elbasan, Fier, Lushnjë, Librazhd dhe Përrenjas të depozitohen në Shkodër — një zgjidhje që pritet të shtojë ndjeshëm kostot e transportit dhe të rëndojë mbi sistemin aktual të menaxhimit të mbetjeve.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat