Rama: Këtë fundvit japim sërish bonusin, vitin e ardhshëm rrisim pensionet
Kryeministri Edi Rama konfirmoi se të gjithë pensionistët do të marrin bonusin e fundvitit edhe këtë vit, ndërsa nga viti 2026 do të nisë rritja e ndjeshme e pensioneve.
“Pjesa e luanit” e buxhetit për pensionistët
Gjatë një takimi me banorët e Njësisë 5 në Tiranë, Rama tha se besimi që qytetarët i dhanë Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit e ka shtuar ndjenjën e përgjegjësisë për t’u qëndruar më afër njerëzve dhe për të adresuar shqetësimet e tyre. Ai theksoi se buxheti i katër viteve të ardhshme do të fokusohet tek pensionistët, të cilët do të përfitojnë rritje të qëndrueshme të të ardhurave.
“Pjesa e luanit në buxhetin e katër viteve të ardhshme është ajo që më në fund u takon pensionistëve. Të gjithë do të marrin bonusin e fundvitit, sipas dy fashave të parashikuara, para Vitit të Ri. Pensionet do të rriten vit pas viti, jo në fund të mandatit,” deklaroi Rama.
Rritje graduale e pensioneve dhe fond shtesë prej 1.7 miliardë euro
Kryeministri nënvizoi se objektivi i qeverisë është që pensioni urban të arrijë në 40 mijë lekë brenda mandatit, ndërsa edhe pensioni rural do të përfitojë rritje progresive. Ai shtoi se në vitin e ardhshëm do të shpenzohen 1.7 miliardë euro shtesë për pensionet, duke e cilësuar këtë si një hap të madh drejt një sistemi më të drejtë social.
“Kërkesa për rritje pensionesh është legjitime, por duhet kuptuar se ato financohen nga sigurimet shoqërore. Ne po bëjmë ndryshime që garantojnë rritje të qëndrueshme, jo të përkohshme,” tha Rama.
Angazhim për të dëgjuar qytetarët
Rama theksoi se pas zgjedhjeve, prioriteti i qeverisë është dëgjimi dhe komunikimi me qytetarët për të adresuar në kohë reale problematikat që hasin në jetën e përditshme. “Besimi që morëm nga qytetarët brenda dhe jashtë vendit na detyron të jemi më pranë tyre dhe të përmbushim pritshmëritë me përgjegjësi,” u shpreh ai.