Secondary Adv

Fermerët do të përfitojnë 53 mln euro në 2026, çfarë përfshin paketa e re e mbështetjes

Buxheti i bujqësisë për vitin 2026 rritet me 11 për qind dhe synon më shumë prodhim, cilësi e gjurmueshmëri në sektor.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin Parlamentar për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, njoftoi se për vitin 2026 fondet për sektorin arrijnë në 16.3 miliard lekë, duke shënuar një rritje prej 11.3 për qind ose rreth 11 milionë euro më shumë për fermerët, përpunuesit dhe peshkatarët. Nga këto fonde, 5.2 miliardë lekë do të shpërndahen si subvencione dhe grante direkte, ndërsa kompensimi 10 për qind i TVSH-së për inputet bujqësore llogaritet çdo vit në 1.5 miliard lekë mbështetje shtesë për fermerët.

 

Programi i Zhvillimit Rural, boshti i financimeve

“Programi i Zhvillimit Rural është boshti i kësaj pakete me 7.7 miliard lekë në vitin 2026 ose 47.5 për qind të buxhetit total të ministrisë,” deklaroi Salla, duke shtuar se programi synon zbatimin e prioriteteve 2025–2029 dhe afrimin e sektorit bujqësor me Politikat e Përbashkëta Bujqësore të BE deri në 2030. Sipas tij, Skema Kombëtare e Mbështetjes përqendrohet në rritjen e prodhimit, forcimin e zinxhirit të vlerës dhe zhvillimin e agroturizmit, me 5.2 miliardë lekë të dedikuara për pagesa direkte dhe grante investimi, 16 për qind më shumë se në buxhetin e vitit 2025.

 

Investime dhe skema të reja për fermerët

Thirrja e fundit për investime në ferma, linja përpunimi dhe agroturizëm ka tërhequr mbi 800 aplikime, të cilat do të vijojnë të zbatohen edhe gjatë vitit 2026. Këto projekte pritet të injektojnë të paktën 2 miliardë lekë në modernizimin e sektorit, me një rritje prej 27 për qind të investimeve. Objektivi i qeverisë, sipas ministrit, është një skemë vjetore me buxhet deri në 100 milionë euro, me 150,000 përfitues dhe kushte për praktika të qëndrueshme mjedisore, siguri ushqimore dhe mirëqenie të kafshëve. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e kompensimit 10 për qind të TVSH-së për fermerët me NIPT, një masë që “ul kostot e prodhimit, forcon lidhjen prodhim–grumbullim–përpunim dhe rrit gjurmueshmërinë e produkteve për tregun vendas e të huaj”.

 

Garancia Sovrane dhe kreditimi me norma të ulëta

Një tjetër instrument i rëndësishëm është Garancia Sovrane, që u mundëson aktorëve të sektorit bujqësor të përfitojnë kredi me normë interesi 2 për qind, pjesë e fondit prej 250 milionë eurosh të vënë në dispozicion nga Banka e Shqipërisë. Mbështetja, me vlerë 3 miliardë lekë, do të rinovohet edhe për vitin 2026, duke zgjeruar aksesin në financim për fermerët dhe bizneset agro-përpunuese.

 

Siguria ushqimore dhe investimet në laboratorë

Programi i dytë buxhetor për vitin 2026, me vlerë 2.9 miliardë lekë (rritje prej 12.1 për qind), fokusohet në forcimin e sistemit të sigurisë ushqimore. Ministri Salla nënvizoi investimet për përmirësimin e laboratorit të Referencës Kombëtare (ISUV) dhe shtatë laboratorëve rajonalë për shëndetin e kafshëve, bimëve dhe ushqimit. Këto ndërhyrje synojnë zgjerimin e gamës së testeve të akredituara, mirëmbajtjen periodike dhe rritjen e besueshmërisë së sistemit, duke forcuar potencialin eksportues të produkteve bimore e shtazore dhe gjurmueshmërinë “nga ferma në tavolinë”.

 

Ujitja, kullimi dhe mbrojtja nga përmbytjet

Ndër prioritetet e tjera për vitin 2026 është investimi në sistemet e ujitjes dhe kullimit, për të mbrojtur më mirë fermat nga faktorët natyrorë si përmbytjet. Fondi për përmirësimin e kanaleve të ujitjes do të rritet me 36 për qind, duke synuar eficiencë më të madhe dhe ruajtje të qëndrueshme të tokës bujqësore.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat