Përditësimi i hartave territoriale të Shqipërisë: FSHZH tender 2.6 mln euro për fotografimin ajror
Një fotografim i ri ajror do të rifreskojë hartat e territorit pas gati një dekade, duke mbuluar të gjithë vendin me imazhe dixhitale dhe të dhëna LIDAR.
Shqipëria do t’i nënshtrohet një fotografimi të ri ajror për të përditësuar hartat e prodhuara rreth dhjetë vjet më parë. Fotografimi i fundit kombëtar daton nga periudha 2015–2017, ndërsa për zonën Tiranë–Durrës është kryer në vitin 2018. Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) është autoriteti kontraktor që do të përzgjedhë kompaninë përgjegjëse për realizimin e këtij projekti përmes një procedure prokurimi të hapur në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, me një fond limit prej 259 milionë lekësh, rreth 2.6 milionë euro.
Qëllimi dhe rëndësia e fotografimit të ri
Kontrata parashikon ndërhyrje për përditësimin e Sistemit Kombëtar të të Dhënave Gjeohapësinore, përmes fotografimit ajror dixhital të territorit të Shqipërisë, prodhimit të imazheve nadir dhe oblik, si dhe skanimit LIDAR për krijimin e modeleve dixhitale të terrenit (DTM). Në dokumentet shoqëruese theksohet se ndryshimet demografike dhe zhvillimi ekonomik në sektorë si turizmi dhe bujqësia e bëjnë të domosdoshëm krijimin e bazave të reja të të dhënave për planifikim dhe zhvillim të qëndrueshëm. Aktualisht, shumë agjenci publike dhe investitorë përballen me mungesë të informacionit hartografik dhe përditësimeve të ortofotove, çka vështirëson projektet infrastrukturore dhe planifikimin urban.
Hartë e re e unifikuar për territorin
Sipas FSHZH, në bazë të kërkesave të shumë institucioneve publike, Agjencia Shtetërore e Informacionit Gjeohapësinor (ASIG) propozoi realizimin e këtij fotografimi si një hartë-bazë të unifikuar për gjithë territorin shqiptar. Projekti do të prodhojë ortofoto RGB/CIR dhe modele dixhitale të terrenit, të cilat do të përdoren për njohjen e veçorive aktuale gjeografike dhe për hartimin e planeve kombëtare të zhvillimit territorial dhe rajonal.
Përdorimet praktike dhe shkencore të të dhënave
Të dhënat që do të mblidhen pritet të shërbejnë për kërkime shkencore dhe për analizën e fenomeneve të rëndësishme si erozioni bregdetar, ndryshimet e përdorimit të tokës, zhvillimi i burimeve minerale, ndërtimet e reja, humbja e ndërtesave, apo ndikimi i fatkeqësive natyrore si rrëshqitjet e tokës dhe zjarret në pyje. Gjithashtu, fotografimi do të ndihmojë në përditësimin e sistemeve të regjistrimit të popullsisë dhe adresave, si dhe në monitorimin e gjurmueshmërisë së pronësisë mbi tokën dhe mjedisin.