Secondary Adv

Banka e Shqipërisë: Rritja e pagave forcon fuqinë blerëse, por shton rreziqet për inflacion

Papunësia më e ulët dhe rritja e pagave kanë mbështetur konsumin, por mund të nxisin çmime më të larta në të ardhmen, paralajmëron BSH.

Banka e Shqipërisë vlerëson se zhvillimet pozitive në tregun e punës dhe rritja e pagave po e mbështesin fuqinë blerëse të familjeve, por njëkohësisht po krijojnë presione për rritje të inflacionit në periudhën e ardhshme.

 

Në raportin e politikës monetare për tremujorin e katërt, institucioni qendror thekson se gjatë tremujorit të dytë të vitit punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 3.4 për qind, papunësia ra në 8.5 për qind, ndërsa paga mesatare në sektorin privat u rrit me 9.5 për qind. Këto zhvillime, sipas BSH, kanë përmirësuar konsumin por kanë rritur njëkohësisht kostot e prodhimit, duke mbetur një burim i mundshëm presioni inflacionist.

 

Inflacioni dhe faktorët e brendshëm

Inflacioni mesatar u rrit lehtë në tremujorin e tretë, duke arritur 2.4 për qind, nga 2 dhe 2.3 për qind në periudhat e mëparshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo lëvizje pasqyron rritjen e çmimit të qirave dhe uljen më të ngadaltë të çmimit të naftës, ndërsa ushqimet kanë pësuar rënie. Presionet e brendshme inflacioniste janë forcuar si rezultat i zgjerimit të aktivitetit ekonomik, tregut të punës në mungesë fuqie punëtore dhe çmimeve më të larta të qirave, duke çuar inflacionin bazë në 2.9 për qind. Në të kundërt, ndikimet nga jashtë kanë qenë të zbutura për shkak të çmimeve më të ulëta të lëndëve bazë dhe mbiçmimit të Lekut në tregjet valutore.

 

Rritja ekonomike dhe pritshmëritë

Ekonomia shqiptare u rrit me një mesatare prej 3.6 për qind gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, e nxitur nga konsumi dhe investimet e sektorit privat, rritja e kredisë dhe besimi i lartë i bizneseve dhe konsumatorëve. Aktiviteti ekonomik është përqendruar kryesisht në shërbime dhe ndërtim, ndërsa bujqësia dhe industria kanë shfaqur rënie. Sipas BSH, turizmi ka vijuar të rritet, megjithëse me ritme më të moderuara, duke ruajtur ndikim pozitiv në ekonominë kombëtare.

 

Parashikimet për vitet në vijim

Banka e Shqipërisë parashikon që ekonomia të vazhdojë të rritet pranë potencialit të saj në afatin e mesëm, ndërsa inflacioni pritet të arrijë objektivin 3 për qind brenda gjysmës së parë të vitit 2026. Kthimi në objektiv do të ndihmohet nga stabiliteti i brendshëm, rritja e kërkesës dhe inflacioni i importuar. Institucioni thekson se ritmet e rritjes mund të jenë më të ngadalta krahasuar me tre vitet e fundit për shkak të ngadalësimit të pritshëm të ekonomisë së Eurozonës dhe afrimit të ekonomisë shqiptare me kapacitetet e saj prodhuese.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat