Secondary Adv

KLSH: Bizneset u detyrohen individëve 190 milionë euro sigurime të papaguara

Borxhi për sigurimet shoqërore ka kaluar 20 miliardë lekë, me rritje mbi 9 për qind në një vit dhe ndikim të drejtpërdrejtë në përfitimet e individëve.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se detyrimet e papaguara për sigurimet shoqërore kanë arritur në 20.2 miliardë lekë (rreth 200 milionë euro), duke u rritur me mbi 9 për qind krahasuar me vitin 2023. Sipas raportit të auditimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, pjesa dërrmuese e borxhit – rreth 18.9 miliardë lekë (190 milionë euro) – i takon bizneseve private, ndërsa 1.2 miliardë lekë i përkasin ndërmarrjeve dhe institucioneve publike.

 

Borxhi në rritje, pavarësisht uljes së numrit të debitorëve publikë

Entet publike zotërojnë rreth 6 për qind të totalit të detyrimeve, por vlera e borxhit është rritur ndjeshëm në krahasim me një vit më parë. Numri i debitorëve publikë ka rënë nga 823 në 724 subjekte, por detyrimet janë zgjeruar me 469 milionë lekë, veçanërisht në institucionet jo buxhetore, ku borxhet janë pothuajse dyfishuar. Kjo situatë tregon për mangësi në administrimin e kontributeve dhe dobësi të disiplinës financiare në sektorin publik.

 

Sektori privat, burimi kryesor i borxhit

Situata është më e rëndë në sektorin privat, ku numri i bizneseve debitorë është rritur me mbi 10 mijë gjatë vitit 2024, duke arritur në afërsisht 120 mijë subjekte. Detyrimet e papaguara në këtë sektor janë zgjeruar me 1.3 miliardë lekë, duke kaluar 18 miliardë lekë në total. Bizneset e vogla mbajnë 39 për qind të borxhit (7.85 miliardë lekë), ndërsa bizneset e mëdha zotërojnë 54.9 për qind të totalit, mbi 11.1 miliardë lekë.

 

Ndikimi mbi punonjësit dhe përfitimet

Sipas një shkrese të ISSH drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, borxhi në rritje po ndikon drejtpërdrejt në përfitimet e individëve, pasi shumë punonjës nuk mund të përfitojnë shërbime nga skema e sigurimeve për shkak të mosshlyerjes së kontributeve nga punëdhënësit. KLSH paralajmëron se kjo situatë dëmton të drejtat e qytetarëve dhe besueshmërinë e sistemit të sigurimeve shoqërore.

 

Struktura e detyrimeve dhe sugjerimet e KLSH

Totali i borxhit për vitin 2024 përfshin 17.18 miliardë lekë principal, 2.08 miliardë lekë gjoba dhe 968 milionë lekë interesa. Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet Tatimeve dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore për të forcuar mbledhjen e detyrimeve dhe për të ulur stokun që vijon të rritet çdo tremujor. Raporti thekson se stoku i borxhit është rritur me 9.6 për qind në krahasim me një vit më parë, duke reflektuar rënie të disiplinës së pagesave, përkeqësim të gjendjes financiare të bizneseve dhe dobësi të administrimit publik.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat