Secondary Adv

Uji i ambalazhuar, Raporti i KLSH: Sistemi aktual i kontrollit nuk garanton cilësi dhe siguri

KLSH paralajmëron se kontrolli i ujit të pijshëm të ambalazhuar mbetet i mangët dhe nuk siguron mbrojtje të plotë për konsumatorët.

Konsumi i ujit të pijshëm të ambalazhuar është rritur ndjeshëm vit pas viti, por cilësia e tij nuk është e garantuar për qytetarët, sipas një auditimi të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

 

Raporti thekson se sistemi i ngritur për kontrollin, monitorimin dhe analizimin e ujit të ambalazhuar nuk ka arritur të garantojë siguri të plotë për konsumatorin. Sipas KLSH-së, institucionet përgjegjëse nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre, ndërsa ndryshimet e kompetencave mes strukturave shtetërore kanë krijuar paqartësi dhe kanë çuar në funksionim të fragmentuar të sistemit.

 

Mangësi ligjore dhe institucionale

Raporti vlerëson se kuadri ligjor dhe rregullator është i pa harmonizuar dhe në disa raste kontradiktor, duke mos garantuar konkurrencë të drejtë për përdorimin e burimeve ujore dhe duke vendosur kritere të dobëta për dhënien e lejeve dhe licencave. Mangësitë e institucioneve në analizimet laboratorike, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe informimin e publikut kanë bërë që cilësia dhe siguria e ujit të ambalazhuar të mos jenë të garantuara.

 

Hetime të paplota dhe mbikëqyrje të dobët

KLSH konstaton se edhe në rastet kur autoritetet kanë identifikuar ujëra jo konform pas denoncimeve apo kontrolleve, hetimet nuk kanë qenë shteruese për të përcaktuar shkakun. Transporti me autobot i ujit mbetet jashtë mbikëqyrjes, duke shtuar rrezikun për kontaminim dhe mungesë gjurmueshmërie.

 

Situata e lejeve për shfrytëzimin e burimeve ujore

Sipas të dhënave të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, deri në fund të vitit 2024 janë të regjistruara 52 leje përdorimi të burimeve ujore për ujë të ambalazhuar, që i përkasin 41 subjekteve tregtare. Prej tyre, 14 janë leje koncesionare të miratuara në periudhën 2004–2008, me afat vlefshmërie rreth 30-vjeçar. Lejet e tjera janë me afat pesëvjeçar, sipas vendimeve të Këshillave të Baseneve Ujore.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat