FMN: Ekonomia shqiptare në rritje të shpejtë, por produktiviteti mbetet i ulët
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson ritme të forta rritjeje për Shqipërinë, ndërsa paralajmëron sfida strukturore në produktivitet dhe tregun e punës.
Shefja e misionit të FMN-së në Shqipëri, Anke Weber, prezantoi analizën mbi ecurinë ekonomike të vendit, duke theksuar se Shqipëria mbetet një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë. FMN parashikon rritje reale të PBB-së prej 3 për qind në vitin 2025 dhe 2.6 për qind në vitin 2026, e nxitur kryesisht nga kërkesa e fortë e brendshme dhe zgjerimi i sektorit të turizmit.
Sipas Weber, politika fiskale ka ndihmuar në uljen e borxhit, inflacioni është stabilizuar nën objektiv, sektori bankar mbetet i mirëbalancuar, ndërsa disbalancat e jashtme janë ngushtuar. Papunësia ka rënë në nivele historikisht të ulëta, por presioni për financimin e shërbimeve sociale dhe qëndrueshmërinë fiskale mbetet i lartë.
Rekomandimet fiskale dhe tatimore
FMN sugjeron rritjen e të ardhurave nga tatimet e ulëta, përshpejtimin e reformës së taksës së pronës dhe përdorimin më të avancuar të teknologjisë së informacionit për mbledhjen e të dhënave. Weber theksoi se nevojitet forcim institucional dhe qeverisje më efikase, veçanërisht në administratën tatimore dhe në planifikimin buxhetor për të ruajtur stabilitetin afatgjatë.
Sektori bankar dhe stabiliteti financiar
FMN vlerëson se sektori bankar është likuid dhe i qëndrueshëm, por kërkon vëmendje për shkak të rritjes së huadhënies dhe ekspozimit ndaj luhatjeve valutore. Fondi paralajmëron për kujdes të shtuar në menaxhimin e riskut, si dhe për përfshirjen e më madhe të analizave të stabilitetit financiar në politikat kombëtare. Në këtë drejtim, është planifikuar edhe një vlerësim i plotë në bashkëpunim me Bankën Botërore.
Sfidat strukturore: produktivitet i ulët dhe emigracion
Weber nënvizoi se sfidat më të mëdha mbeten ato strukturore: produktiviteti i ulët, tkurrja e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit dhe papunësisë së të rinjve, si dhe dobësitë e qeverisjes që vijojnë të krijojnë vështirësi për bizneset. Sipas FMN-së, kapërcimi i këtyre pengesave kërkon reforma të qëndrueshme, koordinim institucional dhe forcim të kapaciteteve administrative.
Rritja e bashkëpunimit rajonal
Fondi ka njoftuar ngritjen e një qendre rajonale për Ballkanin Perëndimor, e cila do të synojë monitorimin e zhvillimeve ekonomike, forcimin e bashkëpunimit dhe përmirësimin e kapaciteteve teknike të vendeve të rajonit, me qëllim rritjen e stabilitetit dhe përmirësimin e standardeve të jetesës.