Sejko: Forcimi i Lekut frenoi inflacionin dhe nxiti kreditimin
Guvernatori thekson se kursi i fortë i këmbimit ka mbrojtur ekonominë nga goditjet e jashtme dhe ka lejuar politika monetare më akomoduese.
Forcimi i Lekut në tregun valutor ka luajtur një rol të rëndësishëm në stabilizimin e ekonomisë dhe në frenimin e inflacionit të importuar. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha gjatë konferencës së përbashkët me përfaqësues të FMN-së dhe Ministrinë e Financave se ky zhvillim ka ndihmuar në ribalancimin e sektorit të jashtëm dhe në uljen e presioneve inflacioniste, duke lejuar një politikë monetare më të butë.
Ai theksoi se zgjerimi i eksportit të shërbimeve ka kompensuar rënien e eksporteve të mallrave dhe rritjen e importeve, duke ruajtur presionin forcues të monedhës vendase. Normat më të ulëta të interesit kanë nxitur rritjen e kredisë, duke mbështetur konsumin dhe investimet në vend. Sipas Sejkos, kombinimi i inflacionit të shënjestruar dhe kursit të lirë të këmbimit i ka dhënë vendit fleksibilitetin e nevojshëm përballë goditjeve të jashtme.
Projektime pozitive për rritjen ekonomike
Guvernatori u shpreh se projeksionet e Bankës së Shqipërisë mbeten pozitive, me pritshmëri që ekonomia të rritet në ritme të ngjashme me ato të këtij viti. Këto ritme pritet të mbështesin shfrytëzimin optimal të kapaciteteve prodhuese dhe të krijojnë kushte për kthimin e inflacionit në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2026. Sejko theksoi se një kuadër i balancuar makroekonomik, përfshirë konsolidimin fiskal dhe ruajtjen e kursit të lirë të këmbimit, është i domosdoshëm për të krijuar hapësirë për politikën monetare dhe për të ruajtur stabilitetin e çmimeve.
Rregullimi dhe integrimi me BE
Banka e Shqipërisë do të vijojë procesin e konvergjencës me standardet e Bashkimit Europian, si në mbikëqyrjen bankare ashtu edhe në rregullimin financiar. Sejko njoftoi se vitin e ardhshëm do të zhvillohet programi i vlerësimit të qëndrueshmërisë së sistemit financiar (FSAP), në bashkëpunim me FMN-në dhe Bankën Botërore, i cili do të shërbejë si udhërrëfyes për reformat e mëtejshme. Ai theksoi angazhimin e institucionit për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, zhvillimin e tregjeve financiare, forcimin e sistemeve të pagesave dhe mbështetjen e reformave strukturore që synojnë rritje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.