Eficienca energjetike prioritet në 2026: 3.46 mln lekë për rinovim godinash dhe stacione karikimi
Buxheti 2026 parashikon 3.46 miliardë lekë investime në sektorin energjetik, duke vënë në qendër eficiencën e energjisë dhe infrastrukturën moderne.
Investimet për vitin 2026 në sektorin energjetik kapin vlerën e 3.46 miliardë lekëve, sipas projektbuxhetit që po shqyrtohet në komisionet parlamentare. Shuma mbështetet kryesisht nga financime të huaja, me 3.2 miliardë lekë të siguruara nga kreditë dhe grantet, ndërsa financimi i brendshëm parashikohet rreth 261.8 milionë lekë. Krahasuar me vitin 2025, financimi për sektorin është rritur me 610 milionë lekë.
Prioritetet: eficienca e energjisë dhe teknologjitë e avancuara
Rritja e eficiencës së energjisë në raport me konsumin final është një nga tre prioritetet kryesore të qeverisë për vitet e ardhshme. Objektivi është zhvillimi i programeve që nxisin tregun, përdorimin e teknologjive të reja dhe zgjerimin e energjive të rinovueshme. Në këtë kuadër, disa projekte të reja do të nisin financimin në vitin 2026, përfshirë rinovimin me eficiencë energjie të ndërtesave shumëfamiljare në Fier, Divjakë dhe Lushnje, me 25 milionë lekë të parashikuara për vitin e ardhshëm. Ndërkohë, vazhdon projekti për përmirësimin energjetik të konvikteve në Qytetin Studenti.
Stacione karikimi për makinat elektrike
Një projekt tjetër i ri lidhet me auditimin, projektimin dhe nisjen e punimeve për instalimin e stacioneve të karikimit për automjetet elektrike në disa qytete dhe pika kufitare. Për këtë nismë janë planifikuar rreth 19.4 milionë lekë për vitin 2026. Projekti është parashikuar nën Agjencinë e Eficiencës së Energjisë dhe pritet të zhvillohet paralelisht me investimet e OSHEE-së.
Investimet në rrjetin energjetik
Financimet e viteve të mëparshme vijojnë me ndërtimin e nënstacionit të Valiasit, ndërtimin e nënstacionit nëntokësor 110/20 kV në qendër të Tiranës, si dhe rikonstruksionin e nënstacioneve 110 kV në rajonet Tiranë dhe Durrës. Këto projekte synojnë modernizimin e infrastrukturës dhe rritjen e sigurisë së furnizimit me energji.