Marrëveshja për emigrantët, Rama: Deri në qershor, do kemi përgjigje për zhbllokimin e procesit
Teksa ndodhej në Itali për mbledhjen e përbashkët mes qeverive, kryeministri Edi Rama ka dhënë edhe një intervistë për gazetarin Bruno Vespa në “Cinque Minuti”.
Kreu i qeverisë ka folur për marrëveshjen për emigrantët me shtetin fqinj dhe qendrën e ngritur në Gjadër, e cila është “bllokuar” momentalisht, për të cilën u shpreh se deri në qershor do të ketë një përgjigje “për të zhbllokuar këtë proces në nivel europian dhe për t’u dhënë shteteve diskrecionalitetin për vendet e origjinës dhe vendet e sigurta.”
"Ajo (Meloni) është një lidere që nuk heq dorë dhe, duket, pret rezultatin e kësaj përpjekjeje të përbashkët në nivel europian. Mendoj se deri nga qershori do të ketë një përgjigje në nivel europian për të zhbllokuar këtë proces në nivel europian dhe për t’u dhënë shteteve diskrecionalitetin për vendet e origjinës dhe vendet e sigurta.", u shpreh Rama.
Pyetur për interesin e vendeve të tjera për të bashkëpunuar për një marrëveshje të tillë si Britania e Madhe, kryeministri tha se “është një ekskluzivitet i marrëdhënies shumë të veçantë me Italinë.”
Ndalur te mbledhja e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, Rama u shpreh se marrëveshjet e nënshkruara, sidomos në industrinë e mbrojtjes janë të rëndësishme. Kreu i qeverisë përmendi edhe projektin për të ndërtuar një linjë interkonjeksioni mes Lindjes dhe Perëndimit që përfshin Rumaninë, Bullgarinë, Greqinë, Shqipërinë dhe Italianë.
U pyet gjithashtu edhe për luftën në Ukrainë dhe lëvizjet që duhet të bëjë BE, për të cilën kryeministri ka shprehur edhe më herët kritika në qasjen e tij. Rama thotë se Evropa duhet të ketë një plan paqeje t’i dhënë sa më shpejt fund konfliktit me Rusinë.
"Unë besoj se përpara se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje ne duhet të kërkojmë t’i përgjigjemi një pyetjeje tjetër që, sipas meje, është shumë shqetësuese. ‘Kur do ketë Europa një plan paqeje dhe kur do jetë në gjendje mbarë komuniteti politik dhe europian të shpjerë përpara një ide sesi të mbyllet ky konflikt pa i hequr asgjë mbështetjes për Ukrainën?", shtoi ai.
Sa i përket Diellës, ministres virtuale, Rama tha: “Detyra e saj është të përpiqet t’i bëjë shumë më të shpejta, shumë më transparente dhe shumë më pak të prekshme nga subjektiviteti njerëzor, le të themi, proceset e shërbimeve për qytetarët dhe, mbi të gjitha, prokurimet publike.”