Paketa e Maleve, qindra aplikime në Kukës e Lezhë, interes nga emigrantët
Interesi për “Paketën e Maleve” po rritet në veri, me dhjetëra aplikime nga investitorë vendas dhe emigrantë për projekte agroturizmi, bujqësie dhe energjie.
Rritje e kërkesave në Kukës, pjesa më e madhe nga emigrantët
Bashkitë kanë përfunduar hartimin e zonave prioritare për investime në kuadër të nismës “Paketa e Maleve”, ndërsa në Kukës po vërehet një rritje e ndjeshme e numrit të aplikimeve. Sipas kryetarit të Bashkisë, Albert Halilaj, deri më tani janë regjistruar 183 kërkesa, shumica e të cilave nga emigrantë që dëshirojnë të investojnë në vendlindje.
“Ka interes të madh nga emigrantët që duan të investojnë në trojet e tyre, ndonëse më parë nuk kanë pasur mundësi reale, pasi tokat janë shtetërore. Ne po asistojmë çdo aplikant dhe afati për aplikim është deri më 31 dhjetor 2025”, u shpreh Halilaj.
Lezha me më shumë aplikime, interes për agroturizëm dhe energji të rinovueshme
Edhe në Qarkun e Lezhës, interesi për programin është rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave, vetëm në Bashkinë e Lezhës janë paraqitur 116 kërkesa, në Mirditë 87 dhe në Kurbin 37. Nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Fatjon Zefi, tha se harta me zonat prioritare tashmë i është dërguar qeverisë për shqyrtim.
“Harta përfshin zona që bashkia i konsideron të përshtatshme për zhvillimin e agroturizmit, parqeve fotovoltaike, blegtorisë, vreshtarisë dhe ullishtarisë. Interesi është i madh dhe ne po bashkëpunojmë ngushtë me ministrinë për fazën e dytë të procesit,” deklaroi Zefi.
Synimi: rigjallërimi i fshatrave malorë
“Paketa e Maleve” synon të krijojë kushte të favorshme për turizmin, agropërpunimin dhe bujqësinë në zonat malore, duke orientuar investimet drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe punësimit lokal. Nisma pritet të ndikojë në rigjallërimin e fshatrave që janë përballur me shpopullim dhe mungesë investimesh ndër vite.