Vetëm 15.8 për qind e shqiptarëve përdorin AI: ndër nivelet më të ulëta në kontinent
Shqipëria ka një ndër përdorimet më të ulëta të AI në Europë, me vetëm 15.8% të popullsisë që përdor mjete të inteligjencës artificiale.
Shqipëria pas vendeve të BE-së dhe fqinjëve rajonalë
Sipas të dhënave të fundit nga raporti i Microsoft mbi adoptimin global të inteligjencës artificiale, përdorimi i AI në Shqipëri mbetet ndër më të ulëtit në Europë, përkrah vendeve si Rumania (15.3%) dhe Greqia (17.7%). Ndërkohë, vendet e Bashkimit Europian po shënojnë ritme shumë më të larta përhapjeje të teknologjive të reja. Irlanda kryeson me 41.7%, e ndjekur nga Franca me 40.9% dhe Spanja me 39.7%.
Raporti thekson se, që prej lançimit të ChatGPT nga OpenAI në vitin 2022, mbi 1.2 miliardë njerëz në mbarë botën kanë përdorur mjete të inteligjencës artificiale, duke e bërë atë teknologjinë me ritmin më të shpejtë të adoptimit në histori, përpara internetit dhe smartfonëve.
Vendet më të zhvilluara, më shumë përdorues
Në vendet me ekonomi të zhvilluara dhe infrastrukturë të përparuar digjitale, përdorimi i AI është shumë më i gjerë. Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar, jashtë BE-së, arrijnë përkatësisht 45.3% dhe 36.4% përdorues të rregullt. Ndërsa në Europën Juglindore, përfshirë Shqipërinë, adoptimi mbetet i kufizuar nga mungesa e infrastrukturës teknologjike, aksesit në internet dhe investimeve në arsim digjital.
Raporti vëren se ky hendek nuk është vetëm teknologjik, por pasqyron edhe pabarazi më të gjera në arsim, burime ekonomike dhe zhvillim gjuhësor. Pothuajse 4 miliardë njerëz në botë ende jetojnë në rajone me akses të kufizuar në energji dhe lidhje të qëndrueshme interneti — kushte thelbësore për zhvillimin e inteligjencës artificiale.