BSH: Shtimi i të ardhurave buxhetore po vjen kryesisht nga rritja e pagave
Banka e Shqipërisë thekson se rritja e të ardhurave buxhetore këtë vit është nxitur kryesisht nga rritja e pagave, e cila ka sjellë më shumë të ardhura nga tatimet dhe kontributet.
Rritja e të ardhurave vjen nga sigurimet shoqërore dhe tatimi mbi pagat
Në analizën e treguesve fiskalë për nëntë muajt e parë të vitit, Banka e Shqipërisë thekson se struktura e të ardhurave ka mbetur e qëndrueshme, me rreth 82% të rritjes që vjen nga sigurimet shoqërore dhe tatimi mbi të ardhurat personale. Këta zëra pasqyrojnë drejtpërdrejt efektin e rritjes së pagave, sidomos në administratën publike.
Të ardhurat totale arritën në 562.5 miliardë lekë, 6.4% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa shpenzimet u rritën me 12.2%, duke prekur 515.5 miliardë lekë. Një e treta e rritjes së shpenzimeve lidhet me sigurimet shoqërore dhe skemën e pensioneve, ndërsa rritje të dukshme kanë pasur edhe fondet për personelin dhe pushtetin vendor.
Buxheti në suficit, pavarësisht rritjes së shpenzimeve
Edhe pse shpenzimet janë zgjeruar, buxheti ka vijuar të mbetet në suficit të lartë. Në fund të nëntëmujorit, suficiti fiskal arriti në 47 miliardë lekë ose 2.4% të PBB-së, ndërsa për tremujorin e tretë regjistrohet një suficit prej 14 miliardë lekësh. Megjithatë, vlera mbetet disi më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Huamarrja dhe menaxhimi i likuiditetit
Gjatë nëntëmujorit, huamarrja e brendshme u rrit me 26.4 miliardë lekë, kryesisht në instrumente afatgjata, ndërsa huamarrja në tregjet e huaja u shtua me rreth 30 miliardë lekë, për shkak të emetimit të Eurobondit prej 650 milionë eurosh në shkurt 2025. Qeveria përdori një pjesë të këtyre fondeve për të shlyer detyrimet e Eurobondit të vitit 2018 në muajin tetor, duke ruajtur nivele të larta të likuiditetit si në valutë ashtu edhe në lekë.