Secondary Adv

Tregtia e Jashtme në tetor, Shqipëria thellon varësinë ndaj importeve, eksportet mbeten në krizë

Shqipëria shënon rritje të lehtë të eksporteve në tetor, por importet rriten më shpejt, duke zgjeruar më tej deficitin tregtar.

 

Eksportet rikuperohen lehtë, por nuk ndryshojnë trendin negativ

Sipas INSTAT, në tetor eksportet arritën 31 miliardë lekë, me rritje 1% krahasuar me të njëjtin muaj një vit më parë dhe 14.5% më shumë se në shtator. Ky rikuperim mbështetet kryesisht nga “Materiale ndërtimi dhe metale” dhe “Makineri, pajisje e pjesë këmbimi”. Në anën tjetër, grupet tradicionale “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” dhe “Tekstile e këpucë” vijojnë rënien, duke reflektuar goditjet e sektorit fason dhe uljen e çmimeve të mallrave energjetike.

 

Në dhjetëmujorin janar–tetor eksportet ranë me 7%, duke zbritur në 291 miliardë lekë. Humbjet më të mëdha vijnë nga “Materiale ndërtimi dhe metale” dhe grupi energjetik, ndërsa rritje kanë shënuar “Ushqime, pije dhe duhan”, si dhe “Makineri e pajisje”.

 

Importet rriten më shpejt dhe thellojnë deficitin

Importet në tetor arritën 80 miliardë lekë, me rritje vjetore 3.6% dhe mujore 6.3%. Rritja është gjeneruar kryesisht nga “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, si dhe nga “Produkte kimike dhe plastike”, duke reflektuar kërkesë të lartë për lëndë të para industriale dhe mallra konsumi.

 

Në dhjetëmujor importet ranë lehtë me 0.8%, por kjo nuk mjafton për të kompensuar rënien e eksporteve. Rëniet më të mëdha vijnë nga “Makineri e pajisje” dhe “Materiale ndërtimi”, ndërsa grupet energjetike dhe ushqimore vijojnë rritjen.

 

Deficiti tregtar zgjerohet

Deficiti tregtar i tetorit arriti 49 miliardë lekë, një rritje prej 5.4% ndaj tetorit 2024 dhe 1.6% më shumë se në shtator. Në dhjetëmujor deficiti është rritur me 3.8%, duke arritur 445 miliardë lekë, si rezultat i ngadalësimit të eksporteve dhe kërkesës së lartë për importe.

 

Luhatje në tregjet partnere: rritje drejt SHBA dhe Spanjës, rënie drejt Italisë

Eksportet drejt Greqisë u rritën me 10% dhe ato drejt SHBA-ve pesëfishuan vlerën. Edhe Spanja shënoi rritje të fortë prej 28.9%. Në kahun tjetër, eksportet drejt Italisë ranë me 13.2%, ndërsa ulje ka pasur edhe drejt Kosovës dhe Gjermanisë. Në dhjetëmujor, rënia e eksporteve drejt Italisë dhe Kosovës vijon të jetë më e theksuara.

 

Importet dominuar nga Italia dhe Kina

Importet italiane u rritën me 6.1%, ndërsa ato nga Kina u rritën me 31.2%, duke reflektuar kërkesa të larta për pajisje teknologjike dhe mallra konsumi. Nga Turqia importet ranë me 20.3% dhe nga Gjermania me 2.4%.

 

BE mbetet partneri kryesor

BE zë 57.4% të totalit të tregtisë së jashtme, ndërsa 69.8% e eksporteve të tetorit shkuan drejt vendeve të unionit. Italia ruan peshën kryesore me 27.8% të totalit të shkëmbimeve, pavarësisht luhatjeve.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat