Nga janari 2026 nis kufizimi i përdorimit të parasë CASH
Paketa fiskale 2026 kufizon më tej pagesat cash, ul pragjet për bizneset dhe vendos detyrime të reja për pagesat elektronike.
Kufizime të reja për transaksionet në cash
Sipas ndryshimeve në ligjin “Për Procedurat Tatimore”, bizneset do të kryejnë ndërmjet tyre pagesa në para në dorë vetëm deri në 100 mijë lekë, nga 150 mijë lekë që lejohej deri tani. Çdo pagesë mbi këtë shumë duhet të kryhet përmes bankës. Për shitjet ndaj konsumatorëve, kufiri i pagesave cash vendoset në 500 mijë lekë, ndërsa për vlera më të larta kërkohen transaksione bankare ose forma të tjera elektronike.
Detyrim për instalimin e pajisjeve të pagesave elektronike
Ministria e Financave vendos detyrimin që bizneset të ofrojnë alternativa pagesash elektronike gjatë vitit 2026. Sektori i turizmit dhe transportit duhet të pajiset me sistemet përkatëse brenda gjashtëmujorit të parë të vitit, ndërsa të gjitha bizneset e tjera deri më 31 dhjetor 2026. Qëllimi është reduktimi i përdorimit të parasë fizike dhe lufta kundër informalitetit.
Rregulla të reja për bizneset online
Ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” vendosin detyrimin që bizneset që operojnë online të publikojnë të dhënat identifikuese, si emrin tregtar, NIPT-in dhe adresën. Mospërmbushja e këtij detyrimi mund të sjellë pezullimin e aktivitetit, me synim mbrojtjen e konsumatorit dhe disiplinimin e tregut digjital.
Ashpërsim i masave kundër informalitetit
Paketat e reja parashikojnë penalitete më të forta për veprimtari të ushtruara pa regjistrim, me synim garantimin e konkurrencës së ndershme dhe uljen e evazionit. Ministria e Financave thekson se këto masa synojnë rritje të formalitetit dhe transparencës në ekonomi.
Nis fushata e re e rivlerësimit të pasurive
Që nga janari 2026 do të nisë fushata e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me një normë të reduktuar tatimore prej 5%, nga 15% që aplikon aktualisht, duke krijuar lehtësira për qytetarët dhe bizneset që duan të përditësojnë vlerën fiskale të pronave.