Secondary Adv

Shqipëria dhe Turqia, me buxhetin më të ulët për mbrojtje sociale në Europë në raport me PBB

Shqipëria renditet ndër vendet me buxhetin më të ulët për mbrojtjen sociale, duke shpenzuar vetëm rreth 11% të PBB-së, shumë më pak se mesatarja europiane.

Kontrast i fortë me standardet e Bashkimit Europian

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023, vendet e BE-së shpenzojnë mesatarisht mbi 25% të PBB-së për mbrojtje sociale, ndërsa Shqipëria vetëm rreth 11%, duke u renditur në fund të listës dhe duke lënë pas vetëm Turqinë. Diferenca me vendet si Franca, Gjermania dhe Belgjika është e ndjeshme, pasi aty buxheti për pensionet, ndihmën sociale dhe politikat e papunësisë është dy deri në tre herë më i lartë.

 

Performancë më e dobët edhe ndaj vendeve të rajonit

Edhe në Ballkan, Shqipëria shpenzon më pak se vendet si Bosnja dhe Mali i Zi, çka tregon një hendek rajonal që po zgjerohet. Kjo situatë ngrit pikëpyetje mbi kapacitetin e sistemit shqiptar për të mbështetur grupet në nevojë, sidomos në një periudhë me kosto të rritura jetese dhe presion të shtuar ekonomik.

 

Pensionet përthithin pjesën dërrmuese të fondeve

Në BE, pensionet zënë 46.9% të totalit të shpenzimeve për mbrojtjen sociale, ndërsa 29.6% i shkon kujdesit shëndetësor. Në Shqipëri, rreth 88% e fondeve përqendrohen tek pensionet, ndërsa vetëm 12% mbulojnë zëra të tjerë si ndihma ekonomike dhe shërbimet shëndetësore. Ky raport tregon një strukturë të ngurtë dhe mungesë të burimeve për programe të tjera sociale që prekin familjet me të ardhura të ulëta dhe grupet vulnerabël.

 

Nevoja për rritje të mbështetjes sociale

Niveli i ulët i shpenzimeve sugjeron se sistemi i mbrojtjes sociale është ende larg standardeve të BE-së, ndërkohë që nevojat e popullsisë rriten nga viti në vit. Tendencat demografike, emigracioni dhe plakja e popullsisë e bëjnë edhe më urgjente rishikimin e politikave sociale dhe rritjen e qëndrueshmërisë së skemave ekzistuese.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat