Institucionet financiare jobanka do të marrin akses direkt në sistemet e pagesave të BSH
Banka e Shqipërisë do t’u japë institucioneve financiare jobanka akses direkt në sistemet e pagesave.
Ligji i ri synon akses të barabartë në infrastrukturën e pagesave
Nisma do të konkretizohet me miratimin e ligjit të ri për Bankën e Shqipërisë deri në qershor 2026. Ky hap do t’u japë institucioneve të licencuara për shërbime pagesash të drejtën për të kryer shlyerje direkt në sistem, një privilegj që deri tani u takonte vetëm bankave tregtare. Më pas do të kërkohet përditësim i akteve të tjera ligjore dhe nënligjore që lidhen me mekanizmat e mbrojtjes, sigurisë dhe funksionimin operativ të sistemeve.
Pse ky ndryshim konsiderohet vendimtar?
Institucionet jobanka argumentojnë se konkurrenca nuk është e barabartë sa kohë ato detyrohen të shlyejnë pagesat përmes bankave. Pjesëmarrja direkte në sistemet e pagesave është kërkuar prej kohësh, sidomos pas miratimit të ligjit të shërbimeve të pagesave që transpozoi direktivën europiane PSD2. Aksesimi i drejtpërdrejtë do të ulë kostot, do të rrisë efikasitetin dhe do të ndikojë në çmime më konkurruese për konsumatorët.
Si funksionon sot pjesëmarrja në sistemet AIPS dhe AECH
Aktualisht, AIPS – sistemi për pagesat ndërbankare me vlerë të madhe – ka tre kategori pjesëmarrësish: të drejtpërdrejtë (Banka e Shqipërisë dhe bankat), të tërthortë (Ministria e Financave, FMN, Banka Botërore, ASD) dhe operatorë të sistemeve të pagesave e titujve që shlyejnë përmes bankave. Në AECH – sistemi i klerimit të pagesave me vlerë të vogël – pjesëmarrës të drejtpërdrejtë janë vetëm Banka e Shqipërisë dhe bankat, ndërsa subjektet jobanka shlyejnë gjithnjë përmes një banke.
Çfarë ndryshon me anëtarësimin e ri?
Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, institucionet jobanka që ofrojnë pagesa, transferta apo shërbime të parasë elektronike do të mund të kryejnë shlyerje përmes llogarive të tyre, pa ndërmjetësim të bankave. Kjo do të përbëjë zhvillimin më të rëndësishëm të tregut të pagesave viteve të fundit, duke vendosur standarde më të afërta me ato të BE-së dhe duke rritur konkurrencën për përfitimin e konsumatorëve.