Shpenzimet e skemës së pensioneve rriten 11 për qind në 2024, deficiti total zbret në 17.7 mld lekë
Shpenzimet e pensioneve u rritën në 148.7 miliardë lekë në 2024, ndërsa deficiti financiar u ul lehtë falë rritjes së të ardhurave nga kontributet.
Rritje në të gjitha degët e skemës së përfitimeve
Sipas raportit të KLSH-së, gjatë periudhës 2022–2024 janë regjistruar rritje të vazhdueshme në të gjitha degët e përfitimeve. Shpenzimet për sëmundjet u rritën në 778.4 milionë lekë, ndërsa barrëlindja në qytet u rrit me 20 për qind. Pensionet e qytetit, që mbajnë peshën më të madhe në total, u rritën me 11 për qind, duke arritur në 142.5 miliardë lekë. Degët me ritmet më të larta të rritjes ishin barrëlindja dhe aksidentet, megjithëse këto të fundit mbeten me peshë të ulët në vlerë absolute.
Deficiti i skemës së qytetit zgjerohet lehtë
Skema e qytetit regjistroi deficit prej 14 miliardë lekësh në 2024, nga 13 miliardë në vitin e kaluar, pasi të ardhurat nga kontributet u rritën më ngadalë se shpenzimet. Zgjerimi me 968 milionë lekë përfaqëson rreth 0.04 për qind të PBB-së.
Skema e fshatit ngushton deficitin
Në zonat rurale, kontributet u rritën me 22 për qind, në të njëjtin ritëm me barrëlindjen dhe pensionet. Shpenzimet totale të fshatit u rritën modestisht me 1.5 për qind, ndërsa barrëlindja ra me 35 për qind, duke reflektuar emigrimin dhe rënien e popullsisë së moshës riprodhuese. Deficiti rural u tkurr ndjeshëm në 3.6 miliardë lekë, nga 5.2 miliardë në vitin 2023.
Deficiti i sistemit mbetet i pranishëm
Edhe pse të ardhurat nga kontributet u rritën, ato nuk mjaftuan për të mbuluar shpenzimet e përgjithshme të sistemit. Deficiti total financiar zbriti në 17.7 miliardë lekë, ose 0.71 për qind të PBB-së, nga 18.3 miliardë një vit më parë. Përmirësimi prej 634 milionë lekësh lidhet kryesisht me rritjen e pagave dhe shtimin e numrit të kontribuuesve.