Secondary Adv

Rama në Kuvend: 100 mln euro për rritjen e pagave të administratës, mjekëve dhe mësuesve

Kryeministri Edi Rama prezantoi projektbuxhetin 2026, duke vënë në fokus rritjen e pagave, pensioneve dhe pagës minimale, me një kosto prej 100 milionë eurosh.

Rritja e pagave dhe pagës minimale

Kreu i qeverisë njoftoi se paga minimale do të jetë 500 euro nga janari 2026, me synimin që deri në fund të mandatit të katërt të arrijë në 700 euro. Rama paralajmëroi indeksim periodik të pagave çdo dy vjet për administratën publike dhe një rritje të diferencuar që favorizon punonjësit me paga të ulëta.

 

Mbi 10,600 punonjës shërbimi do të përfitojnë rritje prej 10 mijë lekësh në muaj, specialistët 5 mijë lekë, ndërsa mësuesit 3 mijë lekë. Në shëndetësi do të nisë llogaritja e vjetërsisë në pagën e mjekëve dhe infermierëve, duke rritur gradualisht të ardhurat mujore. Rritje mbi bazën e vjetërsisë parashikohet edhe për punonjësit e policisë, ku për gradat më të ulëta rritja mesatare është 5 mijë lekë, ndërsa pagat e oficerëve dhe drejtuesve do të rriten sipas gradës dhe shtesave.

 

Paketë e gjerë fiskale dhe “Paqja Fiskale”

Kryeministri u ndal edhe te projektligjet e paketës fiskale, ku theks i veçantë iu dha “Paqes Fiskale”. Ai sqaroi se skema e re parashikon fshirje të plotë të detyrimeve tatimore më të vjetra se 10 vjet dhe lehtësim të borxhit tatimor për detyrime të periudhës 5–10 vjet, për të nxitur korrigjimin e vullnetshëm të deklarimeve financiare. Pjesa e mbetur e detyrimeve mund të shlyhet ose menjëherë, ose me këste brenda vitit, me fshirjen e plotë të gjobave dhe interesave. Gjobat për periudhën 1–5 vjet do të fshihen nëse paguhet plotësisht tatimi dhe kontributet.

 

Rama shtoi se për diferencat e korrigjuara mes deklarimit të vjetër dhe atij të riut, tatimi i fitimit do të jetë vetëm 5%. Po ashtu, bizneset që rrisin fitimin e tatueshëm me të paktën 18% krahasuar me vitin e kaluar do të tatojnë çdo fitim shtesë vetëm me 5%.

 

Qëllimi: lehtësim për bizneset dhe rritje e stabilitetit ekonomik

Kryeministri theksoi se këto masa synojnë të rrisin bashkëpunimin mes sipërmarrjes dhe administratës tatimore, të lehtësojnë barrën e detyrimeve të vjetra dhe të nxisin rritjen e ndershme të fitimit dhe investimeve. Sipas tij, projektbuxheti i vitit 2026 synon të përmirësojë standardet e jetesës, të fuqizojë familjet dhe të mbështesë rritjen ekonomike.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat