Secondary Adv

Parlamenti miraton në parim buxhetin 2026 me 83 vota pro, opozita voton kundër

Pas një seance 17-orëshe, mazhoranca miratoi projektbuxhetin 2026 dhe paketën fiskale, ndërsa opozita votoi kundër.

Parlamenti miratoi në parim buxhetin e vitit 2026, në një seancë maratonë që zgjati deri në orët e para të mëngjesit. Projektbuxheti prej 8.8 miliardë eurosh mori 83 vota pro dhe 32 kundër nga radhët e opozitës. Gjatë votimit, dy deputetë të shumicës nuk morën pjesë në disa prej projektligjeve që përbëjnë paketën fiskale për vitin e ardhshëm.

 

Votimet dhe përjashtimet në sallë

Deputeti Erion Braçe nuk mori pjesë në votimin për projektligjin mbi ndryshimet e sistemit të taksave vendore, ndërsa Vullnet Sinaj mungoi në votimet për marrëveshjen e paqes fiskale dhe paketën për fshirjen e detyrimeve tatimore. Pavarësisht këtyre mospjesëmarrjeve, shumica siguroi votat e nevojshme për miratimin e akteve kryesore që shoqërojnë projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

 

Projektligjet që u miratuan

Me 83 vota pro dhe 32 kundër u miratuan ndryshimet në ligjin e TVSH-së, ndryshimet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, shtesat në ligjin e taksave vendore, projektligji për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, projektligji për marrëveshjen e paqes fiskale, si dhe vetë projektligji i buxhetit 2026. Ndërkohë, me 83 vota pro dhe 31 kundër u miratuan ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore dhe projektligji për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme. Paketa e fshirjes së detyrimeve tatimore u miratua me 82 vota pro dhe 30 kundër.

 

Shifrat kryesore të projektbuxhetit

Projektbuxheti i vitit 2026 parashikon 886 miliardë lekë për sektorët kryesorë publikë, përfshirë pagat, shëndetësinë, pensionet, arsimin, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë dhe sigurinë. Sipas Ministrit të Financave, Petrit Malaj, të ardhurat e vitit 2026 parashikohen në 823.1 miliardë lekë ose 29.6 për qind të PBB-së, duke shënuar një rritje me 52.9 miliardë lekë ndaj vitit paraardhës. Shpenzimet parashikohen në 886.8 miliardë lekë, rreth 31.9 për qind të PBB-së, me rreth 55 miliardë lekë më shumë se në vitin 2025.

 

Hapat e radhës

Projektbuxheti dhe ligjet shoqëruese pritet t’i nënshtrohen diskutimeve nen për nen gjatë ditëve në vijim, përpara votimit përfundimtar në seancën plenare të dhjetorit.

 

Burimi: Euronews


Më të lexuarat