Shumë qytetarë kanë humbur pronat e tyre për shkak se tokat u janë zënë nga ndërtimet pa leje që më pas janë legalizuar. Për këtë arsye, qeveria ka miratuar dje një fond prej 8 miliardë lekësh të vjetra, për kompensimin e tyre.
Vendimi i miratuar dje ka për qëllim shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Lezhës, Vlorës dhe Shkodrës. Sipërfaqja që shpronësohet është 50 627,1 (pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e njëzet e shtatë presje një)m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit është 848 339 674,55 (tetëqind e dyzet e tetë milionë e treqind e tridhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e katër presje pesëdhjetë e pesë) lekë.
Vendimi Me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave vendosi:
1. Shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Lezhës, Vlorës dhe Shkodrës.
2. Sipërfaqja që shpronësohet është 50 627,1 (pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e njëzet e shtatë presje një) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit është 848 339 674,55 (tetëqind e dyzet e tetë milionë e treqind e tridhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e katër presje pesëdhjetë e pesë) lekë.
3. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përkatësisht, në Tiranë, Elbasan, Durrës, Lezhë, Vlorë dhe Shkodër, të kryejë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
4. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Agjencia e Trajtimit të Pronës, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.