Secondary Adv

FMN paralajmëron rreziqe të fshehura pas rritjes së lartë ekonomike të Shqipërisë

FMN kërkon reforma të thelluara për të ruajtur qëndrueshmërinë fiskale dhe stabilitetin financiar të vendit.

Ndonëse Shqipëria është një nga vendet me rritjen më të lartë në Europë, Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se kjo rritje mbetet e orientuar kryesisht nga turizmi, ndërsa rreziqet e jashtme dhe të brendshme po shtohen. Një tkurrje më e shpejtë e popullsisë në moshë pune mund të thellojë mungesën e fuqisë punëtore, të nxisë inflacionin dhe të dobësojë rritjen, ndërsa presionet mbi shpenzimet publike rrezikojnë qëndrueshmërinë fiskale.

 

FMN thekson se prirjet demografike do të rrisin ndjeshëm shpenzimet për pensione e shëndetësi dhe përsërit kundërshtimin ndaj paqes fiskale, e cila rrezikon pajtueshmërinë tatimore dhe besueshmërinë e sistemit të auditimit. Gjithashtu, kërkon monitorim më të fortë ndaj rritjes së kredisë për pasuri të paluajtshme dhe standarde të qarta qeverisjeje për Bankën e Zhvillimit të Shqipërisë. FMN nënvizon rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së SPAK dhe furnizimin e tij me burime të mjaftueshme.

 

Deklarata e misionit të FMN

Një mision i FMN-së, i kryesuar nga Anke Weber, zhvilloi konsultimet e Nenit IV për vitin 2025 në Tiranë nga 4–14 nëntor. Sipas deklaratës përfundimtare, Shqipëria po shënon rritje të lartë ekonomike, inflacion të ulët, borxh në rënie dhe rezerva të forta valutore. Vendi ndodhet në një moment vendimtar drejt synimit të anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, por përballja me sfida strukturore mbetet thelbësore. Produktiviteti vazhdon të jetë i pandryshuar, diferencat me standardet e BE-së të mëdha dhe presionet e brendshme e të jashtme mund të ndikojnë modelin aktual të rritjes së mbështetur te turizmi.

 

Rritja ekonomike dhe rreziqet në rritje

PBB reale pritet të rritet me 3.5 për qind në vitin 2025 dhe 3.6 për qind në 2026, ndërsa inflacioni mund të shkojë në 3 për qind deri në gjysmën e dytë të vitit 2026. Deficiti i llogarisë korrente pritet të jetë 2.8 për qind të PBB-së në 2025 dhe të zgjerohet gradualisht. Rreziqet janë zhvendosur drejt kahut negativ për shkak të tensioneve gjeopolitike, barrierave tregtare dhe luhatjeve të çmimeve globale. Brenda vendit, mungesa e punonjësve mund të rrisë inflacionin dhe të kufizojë rritjen, ndërsa zbatimi i reformave në funksion të procesit të integrimit europian mbetet një mundësi pozitive.

 

Presionet fiskale dhe qëndrueshmëria e financave publike

Sipas FMN-së, suficiti primar në 2025–2026 pritet të jetë i vogël dhe të arrijë balancim në vitet pasuese, ndërsa borxhi publik mund të zbresë në 50 për qind të PBB-së deri në vitin 2030. Megjithatë, presionet mbi shpenzimet publike janë në rritje, veçanërisht për shkak të demografisë, rritjes së kostove të pensioneve dhe shëndetësisë, si dhe angazhimit për të alokuar 5 për qind të buxhetit për mbrojtjen deri në vitin 2035. FMN rekomandon reforma tatimore, reduktim gradual të përjashtimeve fiskale, modernizim të tatimit mbi pronën dhe forcim të administrimit tatimor, duke paralajmëruar se paqja fiskale dëmton pajtueshmërinë dhe integritetin e sistemit.

 

Stabiliteti financiar dhe kreditimi i pasurive të paluajtshme

Sektori bankar i Shqipërisë mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid, por rreziqet lidhen me ekspozimet e mëdha, kreditimin në valutë dhe mbajtjet e borxhit sovran. Rritja e shpejtë e huadhënies për pasuritë e paluajtshme kërkon monitorim të kujdesshëm. FMN kërkon forcim të standardeve mbikëqyrëse, përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe rishikim të lehtësimeve të fundit në kërkesat e kapitalit, duke nënvizuar se rregullimi duhet të bazohet në rrezik. Gjithashtu, kërkon rritje të rezervave kundërciklike të kapitalit dhe masa të targetuara për rreziqet e sektorit imobiliar. Me rritjen e kompleksitetit financiar, nevojitet bashkëpunim më i fortë institucional dhe përmirësim i kuadrit kundër pastrimit të parave.

 

Reformat për rritjen e produktivitetit

FMN nënvizon se produktiviteti në Shqipëri ka mbetur i ulët dhe pa përmirësime të dukshme për një dekadë. Emigracioni, informaliteti, barrierat në tregun e punës, mungesa e aftësive dhe investimet e ulëta në kërkim e inovacion dëmtojnë rritjen afatgjatë. Përmirësimi i cilësisë së arsimit, zgjerimi i trajnimeve, forcimi i mjeteve dixhitale, arsimi profesional dhe zbatimi i Garancisë Rinore janë thelbësore. Për të rritur pjesëmarrjen në tregun e punës, nevojiten masa për uljen e informalitetit, zbatimin e ligjit të punës dhe rritjen e aksesit në kujdesin për fëmijët. FMN kërkon gjithashtu përmirësim të klimës së biznesit, uljen e barrierave administrative, konkurrencë të ndershme dhe nxitje të investimeve në teknologji dhe inovacion, si edhe përmirësim të qeverisjes dhe transparencës, përfshirë forcimin e pavarësisë së SPAK.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat