Secondary Adv

FMN shpreh shqetësim për rolin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit

FMN ngre shqetësime për ndikimin fiskal e financiar të Bankës Shqiptare të Zhvillimit dhe kërkon rregulla të forta qeverisjeje.

FMN paralajmëron për rritjen e rrezikut financiar

Fondi Monetar Ndërkombëtar shpreh shqetësim për krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, duke theksuar se struktura e re mund të shtojë kompleksitet në sektorin financiar dhe të rrisë rreziqet fiskale e financiare. FMN kërkon që qeverisja dhe operacionet të jenë rigorozë dhe që aktivitetet e bankës të jenë të kufizuara në kohë, me fokus tek dështimet e tregut për të shmangur pengimin e investimeve private.

 

Kapitale, pronësi dhe rregulla të funksionimit

Ligji për Bankën Shqiptare të Zhvillimit u miratua në mars dhe parashikon nisjen vitin e ardhshëm. Shteti Shqiptar do të ketë minimalisht 51% të aksioneve dhe kapitali fillestar prej 10 miliardë lekësh do të shlyhet brenda katër vjetëve, me këstin e parë prej 1 miliard lekësh të parashikuar për vitin 2026. Banka mund të ketë aksionerë edhe institucione financiare ndërkombëtare dhe vendase, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Kufizimet për kursimet dhe roli i Postës Shqiptare

Banka do të mbledhë kursime kryesisht nga individë që nuk marrin shërbim të plotë bankar, me kufi maksimal jo më shumë se 2% të PBB. Kursimet do të garantohen nga shteti dhe do të mblidhen përmes një entiteti të veçantë të Postës Shqiptare. Produktet e kursimit do të përcaktohen nga ministri i financave dhe ai i ekonomisë, brenda kufijve të sigurimit të depozitave që aktualisht arrijnë deri në 2.5 milionë lekë për bankat dhe 2 milionë lekë për shoqëritë e kursim-kreditit.

 

Mbikëqyrja nga Banka e Shqipërisë

Mbledhja e fondeve do të mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë, ndërsa entiteti i Postës nuk do të jetë subjekt licencimi. Palët do të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi që përcakton procedurat, interesat e produkteve dhe transparencën ndaj publikut. Banka e Zhvillimit do të raportojë te Banka e Shqipërisë për statistika dhe për Regjistrin e Kredive.

 

Misioni zhvillimor dhe burimet e financimit

Burimet e financimit përfshijnë linja kredie nga institucione financiare ndërkombëtare dhe instrumente të garantuara nga shteti. Banka e Zhvillimit synon të mbështesë sektorët e nënfinancuar, të përfshijë individë jashtë sistemit bankar dhe të financojë ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe startup-et për të nxitur rritjen dhe konkurrueshmërinë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat