Secondary Adv

Turizmi dhe ndërtimi udhëheqin rritjen ekonomike, lë pas bujqësinë

Pesha e bujqësisë në PBB ka rënë ndjeshëm në një dekadë, ndërsa ndërtimi dhe turizmi po fitojnë terren.

Pesha e sektorëve në ekonomi po zhvendoset drejt ndërtimit dhe shërbimeve

Ekonomia shqiptare po orienton aktivitetin gjithnjë e më shumë drejt ndërtimit, tregtimit të pronave dhe turizmit, teksa pesha e bujqësisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto vijon të zbehet.Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjashtëmujorin e parë të këtij viti bujqësia u tkurr me 2.6 për qind ndërsa industria ra me 3.7 për qind, duke reflektuar vështirësi të thella strukturore.

 

Në vitin 2024 bujqësia përbënte 15.45 për qind të PBB-së, ndërtimi 11.92 për qind dhe aktivitetet e pronave 4.95 për qind, me ndërtimin dhe pasuritë e paluajtshme që së bashku arritën në 16.59 për qind të PBB-së, duke e kaluar bujqësinë. Krahasimisht, pesha e bujqësisë ka rënë nga 19.12 për qind në vitin 2014 në 15.45 për qind në vitin 2024, një rënie që konfirmon zhvendosjen e strukturës së prodhimit kombëtar.

 

Rënia e bujqësisë në qarqe dhe sinjalet e tkurrjes strukturore

Analiza e “Scan Intel” mbi strukturën e vlerës së shtuar sipas qarqeve tregon se bujqësia ka pësuar rënie pothuajse kudo. Elbasani shënon rënie me 5.9 pikë përqindje, Durrësi me 3.1, Vlora me 3.2, Shkodra me 2.3, Fieri me 1.9 dhe Dibra me 1.8 pikë përqindje.

 

Këto rënie nuk lidhen me cikle sezonale, por tregojnë për një tkurrje të qëndrueshme të sektorit. Vetëm disa zona periferike si Kukësi me rritje 4.5 pikë, Gjirokastra me 1.8 dhe Berati me 1.1 pikë përqindje shfaqin rritje, e cila lidhet më shumë me bazën e ulët fillestare sesa me zhvillim real. Të dhënat konfirmojnë se bujqësia po humbet peshë ekonomike në shkallë kombëtare, ndërsa ndërtimi dhe turizmi po bëhen “fituesit” e rinj të territorit.

Burimi: Scantv


Më të lexuarat