Bashkia Tiranë hap garën për planin e ri të energjisë dhe klimës
Bashkia Tiranë hap garën për planin e ri të energjisë dhe klimës që synon reduktimin e emetimeve dhe rritjen e burimeve të rinovueshme.
Plani i ri për energjinë dhe klimën dhe objektivat kryesore
Bashkia Tiranë ka shpallur garën për hartimin e planit vendor të veprimit për energjinë dhe klimën, një dokument strategjik që synon tranzicionin e qëndrueshëm energjetik dhe arritjen e neutralitetit klimatik në nivel lokal. Plani do të përfshijë një inventar bazë të emetimeve për sektorët kryesorë, si ndërtesat, transporti, ndriçimi rrugor, industria, mbetjet dhe bujqësia, duke identifikuar burimet kryesore të emetimeve të CO₂. Objektivat kryesore fokusohen në reduktimin e gazeve serrë, rritjen e efiçencës së energjisë, zgjerimin e burimeve të rinovueshme dhe forcimin e sigurisë energjetike.
Masat për ndërtesat dhe sektorin publik
Rinovimi energjetik i ndërtesave ekzistuese do të jetë një prioritet, duke përfshirë termoizolimin, përmirësimin e performancës energjetike dhe instalimin e sistemeve fotovoltaike ose pompave të nxehtësisë. Shumica e ndërtesave në Tiranë janë ndërtuar para standardeve të vitit 2016, çka sjell humbje të larta energjie. Ndërtesat publike si shkollat, çerdhet, objekti kulturorë dhe administrata përfaqësojnë potencial të madh për instalimin e energjisë së rinovueshme dhe përmirësimin e eficiencës.
Transport më i pastër dhe infrastrukturë e modernizuar
Në transport, plani synon uljen e varësisë nga makinat private duke promovuar transportin e pastër, zgjerimin e flotës së autobusëve elektrikë dhe zhvillimin e infrastrukturës së biçikletave. Parashikohet edhe digjitalizimi i shërbimeve të parkimit. Në sektorin e ndriçimit rrugor do të instalohen sisteme inteligjente të menaxhimit për të reduktuar konsumin e energjisë.
Menaxhimi i mbetjeve, ujërave dhe gjelbërimi urban
Plani parashikon shtim të masave për riciklimin dhe përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve. Në menaxhimin e ujërave dhe gjelbërimin urban, fokus do të jetë përballimi i përmbytjeve dhe reduktimi i “ishullit të nxehtësisë urbane” përmes zgjerimit të hapësirave të gjelbra, pyllëzimeve dhe krijimit të parqeve të reja.
Përdorimi i burimeve të rinovueshme në industri
Industria ka potencial të lartë për të ulur konsumin e energjisë përmes përdorimit të burimeve të rinovueshme, kryesisht instalimit të paneleve fotovoltaike, të cilat reduktojnë varësinë nga rrjeti dhe rrisin efikasitetin e bizneseve. Plani synon rritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë së pastër dhe modernizimit energjetik në sektorët industrialë.