FMN: Kritika për Paqen Fiskale e bonuset mujore për pensionistët
Ekonomia e Shqipërisë ka një prej rritjeve më të larta në Evropë, duke mbështetur edhe rrugën drejt anëtarësimit të vendit në BE.
Kështu nis deklarata e Fondit Monetar Ndërkombëtar në mbyllje të misionit 2 javor në Shqipëri, në të cilën ka një sërë rezervash që mund të cenojnë këtë ecuri pozitive, nga produktiviteti i ulët, tek presionet për rritjen e pagave apo përqendrimi i ekonomisë në turizëm.
Përtej tensioneve gjeopolitike në arenën ndërkombëtare, që mund të përcillen në rritje çmimesh dhe interesash, Shqipëria thotë FMN po sfidohet nga rënia e popullsisë.
“Tendencat demografike pritet të rrisin shpenzimet për pensione dhe shëndetësi, veçanërisht pas vitit 2030, ndërsa angazhimi në NATO për të alokuar 5 për qind te PBB-së për shpenzime mbrojtjeje dhe sigurie deri në 2035 do të ushtrojë presion shtesë mbi financat publike. Emigrimi, që mund të rritet më tej me anëtarësimin në BE, rrezikon të thellojë mungesat e fuqisë punëtore”, vijon raporti.
Me skepticizëm FMN shikon të dyja nismat e qeverisë si Paqen Fiskale ashtu dhënien e bonuseve mujore.
"Marrëveshja e propozuar e ‘Paqes Fiskale’, rrezikon të minojë pajtueshmërinë tatimore, të dobësojë besueshmërinë e auditimeve dhe të përmbysë arritjet e deritanishme në modernizimin e administratës tatimore. Bonuset me bazë të gjerë për pensionet duhet të shmangen, pasi janë të vështira për t’u kthyer pas, dobësojnë lidhjen me kontributet dhe rrezikojnë qëndrueshmërinë fiskale",- thuhet në raport.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ripërsërit shqetësimin për monitorimin e koncesioneve, si dhe i rekomandon Bankës së Shqipërisë të tregojë kujdes për ndërhyrjet në tregun valutor për të stabilizuar kursin.
Për herë të parë FMN ka dhënë një opinion edhe për themelimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, e cilat thuhet në deklaratë duhet të ketë dispozita rigoroze të qeverisjes për të parandaluar rreziqet e stabilitetit fiskal dhe financiar. Aktivitetet e kësaj banke vijon FMN duhet të jenë të kufizuara në kohë dhe të synojnë dështimet e tregut për të shmangur pengimin e investimeve private. /Shqiptarja