BB: Skema e pensioneve në rrezik, ndikojnë emigrimi dhe nëndeklarimi i pagave
Reformimi i skemës së pensioneve e cila po sfidohet nga numri i ulët i kontribuuesve, rënia e lindjeve dhe emigrimi, ishte në fokus të konferencës së Bankës Botërore mbi ‘Rishikimin e Politikave Fiskale’.
“Zgjedhjet që do të bëjë Shqipëria në ditën e sotme do të formësojnë të ardhmen e brezave të ardhshëm”, tha Massimiliano Paolucci, shefi i Bankës Botërore në Shqipëri.
Përveç numrit të ulët të punonjësve për të cilët paguhen sigurime, Banka Botërore ngre si shqetësim nëndeklarimin e pagave.
“Kur bëhet fjalë për tatimin e të ardhura personale, Shqipëria është mbrapa dhe arsyeja për këtë vjen për shkak të disa ndryshimeve strukturore të ekonomisë që lidhen me informalitetin, nëndeklarimin edhe përjashtimet. Shohim që pagesat për sistemin e pensioneve 85% janë kontribute, të tjerat vijnë nga të ardhurat e përgjithshme. Kjo është një sfidë për sa i përket qëndrueshmërisë së sistemit”, tha Angella Montfaucon, Ekonomiste e Lartë e Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë.
Banka botërore sugjeron të investohet më shumë në arsim, në zhvillim të kapitalit njerëzor, frenim të emigrimit si dhe të shikohet edhe vetë skema aktuale e pensioneve.
“Mbulesa është relativisht e mirë, por mjaftueshmëria është shumë e ulët. Për parashikimet e të ardhshmes. Kjo gjë do të vijë duke u përkeqësuar, sidomos duke pas parasysh aspektin migrator, deficiti në sistemin e pensioneve do të përkeqësohet duke garantuar që ne të investojmë tek të rinjtë të cilët të rriten dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë duke ju krijuar mundësitë dhe prindërve të tyre që kanë fëmijë të kthehen sërish në tregun e punës”, tha Montfaucon.
Këto sfida tha ministri i Financave Petrit Malaj, janë edhe prioritet i qeverisë shqiptare, dhe drejt tyre po orientohen edhe investimet.
“Korniza fiskale që do të ndërtojmë sot do të jetë ajo që do të vendosë të ardhmen e Shqipërisë për disa dekada. Do të përcaktojë aftësitë tona të investuar tek burimet njerëzore, për të mbështetur biznesin konkurrues, për të ndërtuar infrastrukturë të fuqishme dhe për të garantuar pensione dinjitoze”, tha Petrit Malaj, ministër i Financave.
Përtej këtyre sfidave Banka Botërore shprehet se ekonomia e Shqipërisë ka vijuar të rritet, e udhëhequr kryesisht nga turizmi dhe ndërtimi./Shqiptarja