Secondary Adv

Pas rishikimit të dokumenteve, KPP heq pezullimin për tenderin 2.3 mln euro të Transballkanikes

Komisioni i Prokurimit Publik hoqi pezullimin nga tenderi për kanalizimet në rrugët Transballkanike në Vlorë që përfshin disa lote dhe ka një fond limit prej 232 milionë lekë apo 2.3 milionë euro.

Në fillim të nëntorit kjo procedurë u ankimua nga një operator dhe me një verifikim të bërë nga vetë KPP rezultoi se dokumentet e tenderit duhet të modifikoheshin për të qenë brenda kuadrit ligjor.

 

“Autoriteti kontraktor të modifikojë dokumentet e tenderit në përputhje me konstatimet e mësipërme të Komisionit të Prokurimit Publik, si dhe të publikojë të gjitha ndryshimet dhe sqarimet në Sistemin Elektronik të Prokurimeve” do të kërkonte KPP në vendimin e saj të 7 nëntorit.

 

Me një shkresë të datës 12 nëntor Bashkia Vlorë ka njoftuar se ka bërë ndryshimet e kërkuara në dokumente sipas vlerësimit të dhënë më herët nga Komisioni.

 

“Referuar shkresës së mësipërme, të dorëzuar nga autoriteti kontraktor pranë Komisionit të Prokurimit Publik, dokumentacionit bashkëlidhur saj, si dhe verifikimeve të kryera në sistemin e prokurimeve elektronike, konstatohet se autoriteti kontraktor ka modifikuar dokumentet e tenderit sipas përcaktimeve të Vendimit K.P.P Nr. 1618/2025, datë 07.11.2025 të Komisionit të Prokurimit Publik, si dhe ka publikuar në sistemin e prokurimeve elektronike shtojcën përkatëse për modifikimin e dokumenteve të tenderit” thuhet në vendimin e fundit të KPP që nënvizon se është heqje pezullimi e procedurës.

 

Duke pasur parasysh zbatimin e këtyre hallkave Komisioni njoftoi se tashmë autoriteti kontraktor është i lirë për të vijuar me hapat e tjerë të tenderit i cili ishte skeduluar për t’u zhvilluar në datë 30 tetor 2025.

 

Projekti

 

Procedura me objekt “KUB Vlorë (Kanalizimet e Ujërave të Bardha) – Rindërtimi, ridimensionimi dhe rehabilitimi i kolektorëve kryesorë përgjatë rrugës Transballkanike, sipas loteve: nga rruga e Skelës deri te rruga Hasan Kushta (Albano dhe Romina), rruga Odise Grillo parashikon ndërhyrje në një nga zonat që pëson përmbytje të vazhdueshme.

 

Kapacitetet e linjave të transmetimit të ujit në ketë zonë i përkasin parashikimeve të disa dekadave më parë ndërkohë që urbanizimi ka bërë të nevojshëm rritjen e tyre dhe rishikimin e projekteve në terren. /Monitor


Më të lexuarat