Secondary Adv

Rritet me 43 për qind buxheti i emergjencave, në 2026 arrin 53 mln euro

Buxheti 2026 rrit me 43.5 për qind fondet për Emergjencat Civile për t’u përballur me zjarre e përmbytje.

Klima po bëhet gjithnjë e më sfiduese për Shqipërinë dhe po rëndon si mbi strukturat e emergjencave, ashtu edhe mbi financat publike. Pas verës me zjarre të shumta dhe përmbytjeve aktuale, qeveria ka rritur me 43.5 për qind buxhetin e Emergjencave Civile për vitin 2026, duke e çuar në afro 53 milionë euro nga 36.8 milionë euro këtë vit, një rritje prej 16 milionë eurosh që pasqyron presionin e shtuar nga fenomenet klimatike.

 

Fonde shtesë për bashkitë

Edhe bashkitë marrin fonde më të larta për administrimin e pyjeve, ujitjen e kullimin dhe mbrojtjen nga zjarret, me 40 milionë euro transfertë nga buxheti i shtetit, krahasuar me 36.7 milionë euro një vit më parë. Agron Haxhimali, Drejtor i Institutit për Bashkitë Shqiptare, paralajmëron se transferta të kufizuara nuk i lejojnë bashkitë të përballojnë si duhet zjarret, përmbytjet dhe sfidat klimatike.

 

Tre sektorët që mbeten të papërballuar

Sipas Agron Haxhimalit, edhe pse buxheti 2026 është më i larti ndonjëherë për bashkitë, ai nuk adreson tre problemet kryesore: ujitjen dhe kullimin, rrugët rurale dhe menaxhimin e pyjeve e kullotave. Mungesa e investimeve në këta sektorë për një dekadë ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta, si zjarre, përmbytje dhe një ekonomi rurale të dobët.

 

Rreziku klimatik në rritje

Rreziku që i kanoset ekonomisë nga fatkeqësitë natyrore po rritet ndjeshëm, gjë që theksohet edhe në raportin vjetor 2024 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ku paralajmërohet shtim i zjarreve, përmbytjeve dhe erozionit për shkak të ndryshimeve klimaterike.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat