Secondary Adv

FMN: Shtrëngoni kushtet e kreditimit për PPP, kufizim të përhershëm për blerje banese

FMN i kërkon Bankës së Shqipërisë të rishikojë lehtësimet për kreditë PPP dhe të vendosë kufizime të përhershme për blerjet e pasurive të paluajtshme.

Lehtësimet e BSH dhe shqetësimi i FMN

Në korrik, Banka e Shqipërisë vendosi të lehtësojë kërkesat për kapital ndaj bankave nëse financojnë projekte të mëdha infrastrukturore, duke ulur nivelin e rrezikut të kredive nga 100% në 50%. Kjo u jepte bankave mundësinë të mbajnë më pak kapital rregullator për këto kredi.

 

Megjithatë, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson se këto lehtësime nuk përputhen plotësisht me standardet ndërkombëtare dhe kërkon rishikim të tyre, duke theksuar se rregullimet prudenciale duhet të bazohen në rrezik dhe jo për të nxitur huadhënien në sektorë specifikë. FMN thekson rëndësinë e sigurimit të stafit dhe burimeve të mjaftueshme për një kalim të qetë në standardet ndërkombëtare të raportimit financiar.

 

Kufizimi i kredive për pasuri të paluajtshme

FMN kërkon gjithashtu që kufizimi i kredive për blerje banese të bëhet i përhershëm. Aktivizimi i masave të fundit ndaj kredimarrësve për pasuri të paluajtshme rezidenciale mbush një boshllëk të mëparshëm dhe duhet të bëhet një instrument permanent. Kufizimi, i vendosur nga 1 korriku i këtij viti dhe parashikuar për rishikim pas dy vitesh, mund të shtrëngohet, lehtësohet ose të mbetet po i njëjti, në varësi të ekspozimit të bankave ndaj këtij sektori.

 

Monitorimi i ekspozimeve dhe rrezikut

FMN kërkon monitorim të kujdesshëm edhe për ekspozimin e bankave ndaj huamarrësve të mëdhenj dhe kredive në valutë. Kredia për biznesin e madh konsiderohet me rrezik të lartë, pasi borxhi i madh vështirësohet të paguhet në rast të uljes së të ardhurave. Kredia në valutë është e ndikuar nga luhatjet e kursit të këmbimit, dhe forcimi i papritur i valutave ndaj lekut mund ta bëjë më të kushtueshme shlyerjen e kësteve.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat