Rriten pagesat elektronike, 67 për qind e transfertave bankare bëhen online
Transfertat bankare online po rriten, duke përbërë 67 për qind të totalit dhe duke ulur nevojën për vizita në degët e bankave.
Përdorimi i kanaleve elektronike për pagesa
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, nga rreth 4.5 milionë transferta të kryera për tremujorin e tretë të vitit 2025, 3 milionë ose rreth 67 për qind u kryen përmes kanaleve elektronike. Për 9-mujorin e vitit, pesha e transferta online është rritur në 65 për qind, nga 61 për qind në gjysmën e parë të vitit të kaluar. Megjithatë, transfertat elektronike përbëjnë vetëm 39 për qind të vlerës totale të transfertave, duke treguar se pagesat me vlera më të mëdha, kryesisht të bizneseve, kryhen ende kryesisht në sportelet e bankave.
Lehtësira tarifore dhe incentiva për përdorimin e e-banking
Banka e Shqipërisë ka vendosur lehtësira tarifore për transferta elektronike. Sipas rregullores së re “Për funksionimin e sistemit të klerimit të pagesave me vlerë të vogël – AECH”, pagesat online deri në 40 mijë lekë nuk kanë komision, ndërsa për transferta deri në 10 milionë lekë komisioni maksimal është 0.005% e vlerës së transferuar. Në degë, komisioni maksimal është 0.01% për transferta të njëjta. Për transferta elektronike mbi 40 mijë lekë mund të vendoset komision minimal deri në 50 lekë, ndërsa në degë deri në 500 lekë. Komisioni total për transfertat kombëtare deri në 10 milionë lekë nuk mund të tejkalojë 1 mijë lekë. Ky kuadër i ri rregullator parashikon gjithashtu që transfertat kombëtare të finalizohen brenda ditës së punës.
Rritja e llogarive të lidhura me internetin
Numri i llogarive bankare të aksesueshme përmes internetit ka arritur në 1.35 milionë në fund të vitit 2024, duke shënuar një rritje vjetore prej 23 për qind. Tashmë 39 për qind e llogarive aktive janë të aksesueshme online, nga 34 për qind në fund të vitit 2023 dhe më pak se 20 për qind në vitin 2020. Të gjitha bankat tregtare në Shqipëri ofrojnë shërbime të internet banking, duke mundësuar kryerjen e pagesave dhe shërbimeve pa nevojën e vizitave fizike në degë.