Secondary Adv

Qytetarët shqiptarë, ndër më pesimistët në Europë për blerje banese më 2025

Indeksi i Eurostat tregon se Shqipëria ka një nga nivelet më të ulëta të besimit për blerje ose ndërtim banese në 12 muajt e ardhshëm.

Besim shumë i ulët i konsumatorëve shqiptarë

Të dhënat e Eurostat për tremujorin e tretë të vitit 2025 tregojnë një rënie të ndjeshme të besimit të konsumatorëve në Europë për blerjen ose ndërtimin e një banese brenda një viti. Shqipëria, me një rezultat prej –82.8 pikësh, renditet ndër vendet më pesimiste të kontinentit. Indeksi matet si diferencë mes përqindjes së atyre që presin të blejnë ose ndërtojnë dhe atyre që nuk e parashikojnë këtë hap; një vlerë –82.8 nënkupton se rreth 80–85 për qind më shumë familje janë skeptike sesa optimiste për një blerje të mundshme të shtëpisë.

 

Krahasimi me vendet e tjera të Europës

Besimi për blerje banese është negativ në të gjitha vendet e Europës, ndërsa Shqipëria paraqet nivel më të ulët se mesatarja e BE-së (–77.9) dhe e eurozonës (–79.0). Shqipëria pozicionohet pranë Belgjikës (–82.1) dhe Bullgarisë (–78.3), por rezulton më optimiste se Italia (–88.9) dhe Serbia (–98.7). Në rajon, Mali i Zi (–72.6) dhe Kroacia (–72.5) shfaqin pritshmëri më pozitive, ndërsa vende si Gjermania (–69.3) dhe Danimarka (–68.3) tregojnë stabilitet më të madh ekonomik dhe mundësi më të favorshme financimi.

 

Arsyet e pesimizmit: çmimet e larta dhe normat e interesit

Pjesa dërrmuese e pesimizmit lidhet me rritjen e fortë të çmimeve të banesave në Shqipëri, sidomos në Tiranë dhe zonat bregdetare, ku kërkesa e lartë nga investitorët vendas dhe të huaj ka shtyrë çmimet përtej mundësive të familjeve me të ardhura mesatare. Në mbarë Europën, normat e larta të interesit dhe pasiguritë ekonomike kanë frenuar gatishmërinë për investime në pasuri të paluajtshme, duke ulur ndjeshëm besimin e konsumatorëve.

 

Hendeku midis të ardhurave dhe çmimeve të tregut

Në rastin e Shqipërisë, rezultati –82.8 tregon qartë thellimin e hendekut midis të ardhurave familjare dhe çmimeve të banesave, të cilat janë rritur shumë më shpejt se të ardhurat. Ky trend e bën pronësinë gjithnjë e më të paarritshme për shtresat e mesme dhe të ulëta, ndërsa tregu i pasurive të paluajtshme dominohet nga blerje për qëllime investimi më shumë sesa nga kërkesa për strehim real.

Burimi:Monitor


Më të lexuarat