Secondary Adv

Drafti, si do ti financojë projektet Fondi Kombëtar për Eficiencën e Energjisë

Draftligji për eficiencën e energjisë parashikon ngritjen e Fondit Kombëtar për Eficiencën e Energjisë, një strukturë që do të financojë dhe zbatojë projekte për kursimin e energjisë dhe integrimin e burimeve të rinovueshme.

Instrumentet financiare që do të përdoren nga FKEE

Drafti i ri ligjor, i publikuar për konsultim, përcakton se Fondi Kombëtar për Eficiencën e Energjisë do të ketë mundësinë të zhvillojë instrumente të ndryshme financiare, pas miratimit nga Këshilli Drejtues dhe pëlqimit të ministrive përgjegjëse. Këto instrumente do të synojnë nxitjen e investimeve në projekte të eficiencës së energjisë dhe integrimin e burimeve të rinovueshme në ndërtesa, si sistemet termike solare, ngrohjen dhe ftohjen gjeotermike, biomasën dhe teknologji të ngjashme. Çdo instrument do të hartohet në përputhje me legjislacionin vendas dhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare, ndërsa marrëveshjet me përfituesit do të përcaktojnë qartë të drejtat dhe detyrimet e palëve.

 

Llojet e instrumenteve dhe marrëveshjeve financiare

Drafti parashikon disa forma mbështetjeje, përfshirë Marrëveshjet për Shërbime Energjetike, të cilat do të zbatohen nga FKEE për projekte të plota të eficiencës së energjisë tek subjektet publike. Po ashtu, fondi mund të ofrojë marrëveshje të kombinuara ose jo me grante për konsumatorë rezidentë dhe përfitues të tjerë, si dhe instrumente të dedikuara për sektorin publik dhe privat për mbështetjen e masave të kursimit të energjisë. Këto masa synojnë realizimin e objektivave të përcaktuara në ligj për eficiencën energjetike.

 

Fokusi te ndërhyrjet në sektorin publik

Marrëveshjet për Shërbime Energjetike do të jenë instrumenti kryesor për projektet në entitetet publike. Përmes këtyre marrëveshjeve, FKEE do të investojë fonde në ndërhyrje për kursimin e energjisë, të cilat do të shlyhen nga kursimet e arritura në faturat e energjisë të entitetit publik. Përzgjedhja e projekteve do të bëhet përmes shpalljeve të shprehjes së interesit, ndërsa për projektet e miratuara do të nënshkruhen kontrata të detajuara që përcaktojnë vlerën e investimit, kursimet e parashikuara, periudhën e kthimit, numrin e kësteve dhe mënyrën e shpagimit të fondit. Periudha maksimale e shlyerjes nuk do të jetë më e gjatë se 15 vite, me pagesa tremujore ose sipas një skeme tjetër të përcaktuar.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat