Secondary Adv

Rivlerësimi i pasurive, NAREA kërkon tatim 3 për qind për individët dhe zgjatje të afatit të zbatimi

NAREA propozon uljen e tatimit në 3% për banesat e individëve dhe shtyrjen e afatit të rivlerësimit për vitin 2026.

Kërkesat kryesore të NAREA

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme (NAREA) ka kërkuar ndryshime të rëndësishme në projektligjin “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”, gjatë diskutimit të paketës fiskale në Komisionin për Ekonominë. Përfaqësuesi i saj, Reinaldo Pipiria, propozoi dy korrigjime kryesore: zgjatjen e afatit të rivlerësimit përtej periudhës 1 janar–31 dhjetor 2026 dhe uljen e tatimit të reduktuar nga 5% në 3% për banesat e individëve. Ai theksoi se kapacitetet vjetore të ASHK-së prej 30–33 mijë aplikimesh janë të pamjaftueshme për rreth 500 mijë banesa që kanë nevojë për rivlerësim, duke përfshirë edhe mbi 250 mijë prona të pa përditësuara që prej vitit 2011. Sipas tij, një vit nuk mjafton dhe pjesa më e madhe e aplikuesve janë nga diaspora, çka e vështirëson procesin.

 

Pse kërkohet ulja e tatimit dhe trajtim i diferencuar

Pipiria u shpreh se projektligji i trajton në mënyrë të barabartë individët dhe entitetet komerciale, ndonëse këta të fundit kanë kapacitete financiare dhe përfitojnë nga zbritja e tatimit si shpenzim. Për individët, tha ai, niveli 5% është i lartë dhe mund të sjellë bllokim të pronave për shkak të pamundësisë financiare. NAREA propozon 3% vetëm për banesat, në mënyrë që procesi të jetë më gjithëpërfshirës. Shoqata kërkoi gjithashtu rikthimin në draft të mundësisë së rivlerësimit të pronave në proces legalizimi, rreth 1.2 milionë pasuri që ishin pjesë e versionit të parë të projektligjit por janë hequr në variantin final.

 

Argumentet e qeverisë dhe përvoja nga ligjet e mëparshme

Projektligji aktual parashikon një tatim të reduktuar 5% nga niveli 15% që aplikohet sot, ndërsa zbatimi kufizohet në vitin 2026. Në relacionin shoqërues theksohet se rishikimi i çmimeve mesatare referuese të banesave në Tiranë dhe propozimi i çmimeve të reja për zonat e tjera ka nxitur nevojën për këtë ligj. Qeveria vlerëson se interesimi i qytetarëve ka qenë tradicionalisht i lartë: nga viti 2011 deri në 2022 janë kryer 254,665 aplikime për rivlerësim, me 23.5 miliardë lekë tatim të paguar, duke dëshmuar gatishmëri të lartë për të përfituar nga skemat e ngjashme.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat