Çmimet e banesave shënojnë rritje prej 14.6 për qind në gjashtë muajt e parë të vitit
Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë tregon rritje të fortë të çmimeve dhe aktivitetit në tregun e pasurive të paluajtshme.
Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri ka shënuar rritje të dukshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025. Sipas vrojtimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, i cili përfshiu 230 shoqëri ndërtimi dhe agjenci imobiliare që përfaqësojnë rreth 75-80% të tregut, prej të cilave 174 subjekte raportuese, ku numri i pronave të shitura u rrit në 1959 nga 863 në gjashtëmujorin e kaluar, me një mesatare prej 11 pronash për subjekt.
Rreth 58% e pronave u blenë me kredi bankare, ndërsa 15% e banesave u blenë nga shtetas jorezidentë, prej të cilëve 71% janë shtetas të Bashkimit Europian, dhe treguesi i situatës së përgjithshme arriti në +6%, shumë mbi mesataren afatgjatë prej -14%, ndërsa për subjektet që raportuan shitje balanca neto ishte +21%.
Shitjet, koha mesatare dhe performanca sipas zonave
Vrojtimi tregon se koha mesatare e shitjes u rrit në 11,6 muaj, ndërsa në Tiranë arriti në 11,1 muaj krahasuar me 7,1 muaj gjashtë muaj më parë, çka sinjalizon se, ndonëse aktiviteti ka qenë i lartë, procesi i shitjes po zgjatet, ndërsa në zonat bregdetare koha e shitjes u ul në 8,7 muaj, duke reflektuar një kërkesë më dinamike dhe rotacion më të shpejtë të stokut të pronave në këto zona.
Rritja e çmimeve të banesave në të gjithë vendin
Sa i takon çmimeve, sipas Indeksit Fischer, çmimet e banesave u rritën me 14.6 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 41.7% krahasuar me një vit më parë, duke konfirmuar një trend të fortë rritës në tregun e pasurive të paluajtshme, ndërsa çmimet në Tiranë u rritën me 32,6% në krahasim me një vit më parë, gjë që tregon se kryeqyteti vijon të mbetet epiqendra e presioneve mbi çmimet e banesave.
Pritshmëritë e agjentëve për gjashtëmujorin në vijim
Sipas Bankës së Shqipërisë, agjentët e tregut presin një rritje të mëtejshme të çmimeve dhe një nivel të qëndrueshëm të pronave të regjistruara për gjashtëmujorin e ardhshëm, duke reflektuar optimizmin e tyre për ecurinë e tregut në të gjithë vendin dhe duke sinjalizuar se aktiviteti i lartë i shitjeve, pjesëmarrja e lartë e financimit bankar dhe interesi i blerësve jorezidentë pritet të vijojnë të mbështesin dinamizmin e tregut të pasurive të paluajtshme.