Secondary Adv

Një në tre shqiptarë planifikon emigrimin, puna dhe jetesa më e mirë arsyet kryesore

Rreth 33% e shqiptarëve shprehin synime për emigrim, një nga nivelet më të larta në rajon, të nxitur kryesisht nga puna dhe kushtet e jetesës.

Nivelet e synimeve për emigrim

Sipas raportit të vitit 2024 të OeNB Euro Survey, 33% e popullsisë në Shqipëri deklaron se ka synime migrimi, qoftë brenda një viti, gjatë dhjetë viteve të ardhshme, apo pa e përjashtuar këtë mundësi. Ky nivel është ndër më të lartët në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore, duke reflektuar presionin e fortë demografik që vendi përjeton.

 

Në vitin 2024, 10% e shqiptarëve shprehnin dëshirë të largoheshin brenda vitit, shifra më e lartë në rajon, përkrah Maqedonisë së Veriut me 11%. Në vendet e tjera si Serbia, Rumania apo Bullgaria, kjo përqindje varion nga 2% deri në 5%, ndërsa në Hungari dhe Çeki nuk kalon 2%. Në nivel rajonal, dëshira për emigrim afatshkurtër ka rënë nga 7% në vitin 2019 në 4.5% në vitin 2024, ndërsa Shqipëria vazhdon të qëndrojë dukshëm mbi mesataren.

 

Arsyet kryesore të emigrimit

Anketimi tregon se 46% e qytetarëve të rajonit që synojnë emigrimin e lidhin këtë vendim me mundësitë e punësimit, ndërsa 26% e shohin emigrimin si mënyrën më të sigurt për një jetë më të mirë. Në Shqipëri, arsyet kryesore mbeten të njëjta: kërkimi për paga më të larta, kushte më të favorshme pune dhe një standard jetese më dinjitoz. Raporti sugjeron se investimet në edukim, shëndetësi, treg pune dhe shërbime publike janë thelbësore për të frenuar më tej prirjen drejt emigrimit.

 

Përvoja e emigrimit dhe të kthyerit

Niveli i atyre që kanë jetuar më parë jashtë vendit është i lartë në Shqipëri, ku 28% e të anketuarve raportojnë një përvojë të tillë — shumë mbi mesataren rajonale prej 14%. Shumica e qëndrimeve jashtë zgjasin më pak se një vit, ndërsa rreth 40% e shqiptarëve të kthyer kanë jetuar mbi tre vjet jashtë vendit, një përqindje që i afrohet Bosnjës dhe Bullgarisë. Të dhënat sugjerojnë mobilitet të lartë ekonomik dhe social, por edhe mospërputhje të vazhdueshme midis mundësive brenda vendit dhe aspiratave të individëve.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat