Secondary Adv

Qeveria shpall zonat e para malore me përparësi zhvillimi në Mat, Shijak dhe Shkodër

Qeveria shpalli tre bashki me zona të reja me përparësi zhvillimi malor, duke hapur rrugën për investime turistike, ekonomike dhe rurale.

Mat: Tre zona strategjike me potencial turistik

Qeveria ka miratuar vendimet e para për zbatimin e ligjit nr.20/2025 “Për paketën e maleve”, duke shpallur zona të posaçme me përparësi zhvillimi në Mat, Shijak dhe Shkodër. Në Bashkinë Mat u njohën tre zona malore në njësinë administrative Komsi: Liqenet e Gërmanit me sipërfaqe 2,051,282 m², ish-Vila e Zogut me 1,585,237 m² dhe Kurora e fshatit Selixë me 2,564,391 m². Të treja janë regjistruar në hartat KRGJSH dhe konsiderohen potenciale për zhvillim turistik dhe rural.

 

Shijak: 20 zona të reja rreth rezervuarëve

Bashkia Shijak përfshin 20 zona të shpallura si me përparësi zhvillimi malor, të pozicionuara rreth rezervuarëve të Maminasit, Karrecit, Karpenit, Metallës, Shetëlit, Likeshit, Çizmelit, Kënetës dhe Gjepalajt. Sipërfaqet variojnë nga 3.88 deri në 169.56 hektarë, duke krijuar një bazë të gjerë për projekte turistike, bujqësore, industriale dhe agro-turistike.

 

Shkodër: Thethi dhe fshatrat malorë me status të ri

Në Bashkinë Shkodër u shpallën pesë zona të njohura për vlerat natyrore dhe turistike: Theth me 2286.3 ha, Ndërlysaj me 425.9 ha, Rragam me 474.5 ha, Sheldi me 388 ha dhe Mazrek–Shpor me 845.8 ha. Statusi i ri u mundëson këtyre zonave orientim më të qartë investimesh dhe nxit mbështetjen infrastrukturore, duke synuar zhvillim të qëndrueshëm të turizmit alpino-rural.

 

Vendimet ngarkojnë Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe bashkitë përkatëse me zbatimin e procedurave, ndërsa hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat