Secondary Adv

Energjia diellore zuri 29 për qind të peshës në prodhimin neto vendas, gjatë tremujorit të tretë

Pesha e energjisë diellore u rrit ndjeshëm gjatë tremujorit të tretë, duke mbuluar gati një të tretën e prodhimit neto vendas.

Pesha e fotovoltaikëve rritet mes vitit të dobët hidrike

Energjia diellore vijoi rritjen e fortë gjatë tremujorit të tretë të vitit, duke zënë 29 për qind të prodhimit neto vendas sipas bilancit të energjisë. Viti 2025 ka qenë i pafavorshëm nga ana hidrike dhe prodhimi total ra ndjeshëm, çka rriti varësinë nga importet dhe ndikoi në rritjen e peshës së fotovoltaikëve. Prodhimi neto vendas u ul me 31.3 për qind, duke arritur 1,075 GWh nga 1,565 GWh një vit më parë.

 

Hidrocentralet në rënie, impiantet diellore në ngjitje

Hidrocentralet publike prodhuan 586 GWh nga 1,088 GWh një vit më parë, me rënie 46.1 për qind. Privatët dhe koncesionarët prodhuan 178 GWh, një tkurrje prej 39 për qind. Ndërkohë, prodhuesit e tjerë—kryesisht impiantet fotovoltaike—arritën 311 GWh, me rritje 68.4 për qind, duke marrë një rol kryesor në strukturën e prodhimit të energjisë.

 

Importet rriten me 65 për qind

Importet bruto shënuan 1,260 GWh, nga 762 GWh në të njëjtën periudhë të vitit 2024, ndërsa eksportet arritën 312 GWh. Bilanci neto i shkëmbimeve ishte negativ me 948 GWh, duke reflektuar mungesën e prodhimit vendas.

 

Humbjet në rrjet bien, bizneset ulin konsumin

Humbjet në rrjet ranë në 323 GWh nga 344 GWh, duke zbritur në 16 për qind të energjisë në dispozicion. Konsumi total ra lehtë me 0.1 për qind, i ndikuar nga ulja me 0.3 për qind e konsumatorëve jo familjarë, ndërsa konsumatorët familjarë patën rritje të lehtë prej 0.1 për qind.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat