Secondary Adv

Përgatitet projektligji për mbikëqyrjen shtesë të konglomerateve financiare

Autoritetet financiare po harmonizojnë legjislacionin me BE-në për të forcuar kontrollin mbi grupet e mëdha që veprojnë në disa sektorë njëkohësisht, nga bankat te sigurimet dhe fondet e investimeve.

Qëllimi i nismës

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar një projektligj të posaçëm që synon vendosjen e rregullave të mbikëqyrjes shtesë për subjektet e licencuara që janë pjesë e konglomerateve financiare. Ligji mbulon bankat, shoqëritë e sigurimeve, kompanitë komisionere dhe entitetet që administrojnë fonde investimesh, duke i përfshirë ato në një kuadër të përbashkët mbikëqyrjeje.

 

Përkufizimi i konglomeratit financiar

Projektligji përcakton konglomerat financiar çdo grup ku të paktën një subjekt ushtron veprimtari të mbikëqyrur në sektorin financiar. Një grup konsiderohet i tillë nëse mbi 40% e aktiveve të tij lidhen me veprimtari financiare. Ky përcaktim siguron që grupet e mëdha, me ndërthurje aktivitetesh bankare, sigurimi dhe investimesh, të jenë nën një mbikëqyrje të koordinuar.

 

Koordinimi ndërmjet autoriteteve

Për zbatimin efektiv të kontrollit, një autoritet caktohet si koordinator i mbikëqyrjes. Banka e Shqipërisë merr këtë rol kur në krye të konglomeratit është një bankë ose kur sektori bankar përbën pjesën më të rëndësishme të grupit. Në rastet kur drejtimin e mban një subjekt i licencuar nga AMF-ja, atëherë koordinimin e merr vetë AMF. Ky mekanizëm siguron mbikëqyrje të unifikuar, sidomos kur grupet kanë aktivitete në disa shtete.

 

Rregulla të reja për kapitalin dhe rrezikun

Projektligji parashikon kërkesa specifike që Banka e Shqipërisë dhe AMF duhet t’i përditësojnë brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit. Këto përfshijnë metodologji të reja për llogaritjen e kapitalit, aftësisë paguese, transaksioneve brenda grupit dhe përqendrimit të rrezikut. Synimi është të shmangen mbivendosjet e rregullave dhe të garantohet një qasje e harmonizuar në të gjithë sektorët.

 

Udhëzime të përbashkëta për mbikëqyrje të unifikuar

Të dy autoritetet do të hartojnë udhëzime të përbashkëta për sektorët financiarë të rëndësishëm, për administrimin e riskut, kontrollet e brendshme dhe procedurat e mbikëqyrjes. Këto masa janë pjesë e plotësimit të standardeve të Bashkimit Europian dhe synojnë të rrisin transparencën, stabilitetin dhe koordinimin rregullator.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat