Secondary Adv

Rritet edhe kostoja e ndërtimit në Kosovë, 3.6 për qind më e lartë se një vit më parë

Indeksi i kostos së ndërtimit në Kosovë është rritur ndjeshëm gjatë tremujorit të tretë, duke reflektuar shtrenjtimin e energjisë, pagave dhe materialeve, si dhe rritjen e përgjithshme të çmimeve të prodhimit vendor.

Rritje e vazhdueshme e kostos së ndërtimit

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se në tremujorin e tretë 2025, kostoja e ndërtimit është rritur për 3.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit kaluar. Në krahasim me tremujorin e dytë, indeksi shënoi gjithashtu një rritje prej 0.5 për qind, duke treguar se presioni i çmimeve vazhdon të mbetet i lartë.

 

Energjia dhe pagat, faktorët kryesorë të shtrenjtimit

Sipas ASK-së, rritjet më të mëdha janë regjistruar te energjia me 9.7 për qind dhe pagat me 7.8 për qind, të ndjekura nga kostot e tjera dhe transporti. Materialet e ndërtimit u shtrenjtuan me 2.9 për qind, ndërsa çmimet e makinerive shënuan një zbritje të lehtë prej 0.4 për qind. Edhe krahasuar me tremujorin e dytë, energjia dhe pagat vazhduan trendin rritës, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostove të përgjithshme.

 

Shtrenjtim paralel i produkteve “Made in Kosova”

ASK raportoi se gjatë të njëjtit tremujor, çmimet e prodhimeve vendore janë rritur për 5.5 për qind. Rritjet më të larta u shënuan te prodhimi i mjeteve motorike, energjia elektrike dhe tekstili, ndërsa çmime më të buta janë regjistruar te produktet farmaceutike, veshjet, mobiliet dhe industria ushqimore. Në të kundërt, produktet e importuara shënuan një rënie të lehtë, të ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të lëkurës, metaleve dhe plastikës.

 

Inflacioni dhe kostoja e jetesës mbeten sfidat kryesore

Me rritjen e vazhdueshme të çmimeve, inflacioni në Kosovë ka arritur 5.1 për qind në tetor, i nxitur kryesisht nga çmimet e pushimeve, biletave të fluturimit dhe energjisë elektrike. Sipas hulumtimeve të fundit, rreth 70 për qind e qytetarëve e konsiderojnë rritjen e kostos së jetesës si shqetësimin kryesor, një situatë që përputhet me të dhënat e FMN-së për vendet e rajonit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat